1 Të njëzetekatërtën ditë të këtij muaji, bijtë e Izraelit, të veshur me thasë e me kokë të pluhurosur, u bashkuan për të agjëruar.
2 Fara e Izraelit u nda nga të gjithë të huajt, afroheshin, i rrëfenin mëkatet e veta dhe fajësinë e etërve të vet.
3 Në këmbë dhe secili në vendin e vet, e lexonin Librin e Ligjit të Zotit, Hyjit të vet, gjatë një të katërtën e ditës, kurse gjatë të katërtës tjetër të ditës, i rrëfenin mëkatet e veta dhe e adhuronin Zotin, Hyjin e vet.
4 Atëherë Jesuai, Baniu, Kadmiheli, Sebania, Buniu, Baniu e Kananiu duke u ngritur në vendin e caktuar të levitëve, e thirrën me zë të lartë ndihmën e Zotit, Hyjit të vet,
5 kurse levitët Jesuai, Kadmiheli, Baniu, Hasabneja, Serebia, Hodia, Sebania dhe Fetahia thanë:
“Ngrituni, bekojeni Zotin Hyjin tuaj,
prej amshimit e në jetë të jetës!
Qoftë bekuar Emri yt i lavdishëm,
i lartësuar mbi çdo bekim e lavdi!
6 Ti, ti je Një i vetëm, o Zot!
Ti e krijove qiellin dhe qiellin e qiejve
dhe mbarë ushtrinë e tyre!
E krijove tokën dhe gjithçka është në të,
detet e gjithçka është në to.
Këtyre të gjithave ti u dhe jetë,
edhe ushtritë qiellore ty të adhurojnë!
7 Ti, o Zot Hyj, e zgjodhe Abramin,
ti e nxore nga Uri i Kaldenjve
dhe ia dhe emrin Abraham!
8 Besnike para teje ti zemrën ia gjete
dhe me të besëlidhje lidhe
se do t’ua jepje pasardhësve të tij
tokën e Kananeut, të Heteut e të Amorreut,
të Ferezeut, të Jebuseut e të Gergezeut:
dhe fjalën e mbajte,
sepse je i drejtë!
9 Ti e pe mjerimin e etërve tanë në Egjipt
dhe e dëgjove britmën e tyre pranë Detit të Kuq!
10 Bëre shenja e mrekulli kundër faraonit,
kundër mbarë shërbëtorëve të tij e popullit të atij vendi;
sepse pe me ç’krenari u sollën kundër tyre!
Fitove emër të mirë që edhe sot përmendet!
11 Para tyre detin dysh e ndave:
përmes detit terikut kaluan!
Kurse armiqtë e tyre në fund i plandose
porsi gurin në ujërat e rrëmbyeshme!
12 Me shtyllë reje gjatë ditës u prije,
ndërsa natën me shtyllën e zjarrit
u bëje dritë kah ata udhëtonin!
13 Ti vetë zbrite në malin Sinai
e prej qiellit me ta fole:
urdhra të drejta ti u dhe,
Ligj të sigurt,
porosi dhe urdhra të shquar.
14 Ua shpalle të shtunën tënde të shenjtë,
porositë, urdhrat dhe Ligjin ua dhe
me anë të shërbëtorit tënd Moisiut.
15 Në zinë e tyre bukë nga qielli u dhe,
të shuajnë etjen ujë nga shkëmbi u nxore.
u urdhërove ta pronësojnë tokën
që me be ti ua premtove.
16 Por të parët tanë krenarisht vepruan,
ngurrën zverkun, Ligjin nuk ta mbajtën.
17 Të dëgjojnë s’deshën,
i harruan të mirat që u bëre,
ngurrën zverkun, u kërceu në kokë
prapë në skllavëri të kthehen në Egjipt.
Por ti je Hyj zemërdhimbshëm,
shpirtbujar, plot me butësi,
zemërgjerë e plot mëshirë
prandaj dorë prej tyre s’hoqe.
18 Madje viçin kur metali e derdhën
dhe i thanë: “Ja, Hyji yt,
që të nxori prej Egjiptit!”
dhe blasfemi bënë shumë e të mëdha,
19 e ti përsëri me mëshirë të madhe,
s’i braktise në shkretëtirë:
shtylla e resë s’u zhduk prej tyre
t’u printe ditën kah të udhëtonin,
po as natën shtylla e zjarrit
dritë t’u bënte duke ecur.
20 Të mirin Shpirt që vjen prej teje
ua dhurove që t’i mësojë,
manën tënde s’ua mohove,
u dhe ujë etjen ta shuanin.
21 Dyzet vjet në shkretirë i ushqeve
dhe asgjë nuk u mungoi:
s’u shqyen petkash, këmbësh s’u enjtën!
22 U dorëzove mbretëri e popuj
dhe me short ti ua ndave;
pronë e bënë tokën Sehon
edhe të mbretit Hesebon,
dhe të Ogut, mbretit të Basanit.
23 Fëmijët ua shtove si yjet e qiellit.
Ti i shpure në atë vend
që ua premtove etërve të tyre
se do të hyjnë për ta pronësuar.
24 Erdhën djemtë dhe e pronësuan tokën,
ua nënshtrove kananenjtë, banorët e vendit,
në dorë të tyre i lëshove
mbretër e popuj paganë,
të bëjnë me ta sipas dëshirës.
25 Pushtuan qyteza e tokë prodhuese,
pronësuan shtëpi me të gjitha të mirat,
pusa të çelur, vreshta, ullishta,
pemë frutore të panumërta.
Hëngrën, u nginë dhe u trashën
dhe u kënaqën në mirësinë tënde të madhe.
26 Por s’të dëgjuan, kundër t’u çuan,
Ligjin tënd pas shpinës e hodhën;
i vrisnin profetët e tu
që i mësonin të ktheheshin kah ti:
kështu ata bënë blasfemi të mëdha.
27 Këndej ti i lëshove në duar të armiqve
që i poshtëruan e i shtypën.
Por kur ranë ngushtë, klithën drejt teje,
ti prej qiellit i dëgjove.
Me mirësinë tënde të pakufi
u dërgove shpëtimtarë,
t’i shpëtojnë prej dorës së armikut.
28 Të rënë në qetësi, prapë ia fillonin
të bënin të keqen para teje.
Në duar të armiqve ti i lëshoje,
që i pushtonin e i mundonin.
Kah ti u kthenin e të lypnin ndihmë,
ti prej qiellit i dëgjoje:
shumë herë me mëshirë tënde i shpëtove!
29 I qortoje të kthehen në Ligjin tënd:
por krenarë s’ t’i dëgjuan urdhërimet,
dhe i prishën pikërisht ata urdhra
të cilët njeriut jetën ia mbajnë.
Çuan grushtin kryengritës,
e ngurruan zverkun dhe s’dëgjuan!
30 I durove për shumë vjet,
i qortoje me Shpirtin tënd
nëpër gojë të profetëve të tu,
por ata s’deshën të të dëgjojnë!
Këndej i lëshove në duar të popujve paganë.
31 Me mëshirën tënde që s’ka kufi
nuk i shove as s’i braktise,
sepse je Hyj i mëshirshëm,
e butësi s’të ka kufi.
32 E tani, o Hyji ynë,
Zot i madh, i fortë e i tmerrshëm,
që e mban fjalën dhe ke mëshirë,
mos e bëj në asgjë tërë këtë mjerim
që na gjeti ne, mbretërit dhe prijësit tanë,
priftërinjtë e profetët tanë,
etërit tanë e mbarë popullin tënd
nga koha e mbretërve të Asirisë e deri më sot!
33 Ti je i drejtë në gjithçka që na ka ndodhur,
sepse veprove me drejtësi,
kurse ne bëmë padrejtësi.
34 Mbretërit tanë as prijësit tanë,
priftërinjtë tanë as etërit tanë,
s’e zbatuan Ligjin tënd,
kokë nuk çanë për urdhrat tu
për qortime që u bëre.
35 Megjithëse në mbretërinë e vet,
në të gjitha të mirat që u dhe,
në tokën e gjerë edhe pjellore
që ua kishe shtruar përpara,
ata ty aspak s’të shërbyen,
s’u shmangën veprave të këqija.
36 Ja, edhe ne sot skllevër jemi,
mu në atë tokë,
që ua dhe etërve tanë
t’i hanë frutat, t’i gëzojnë të mirat,
pikërisht në të ne jemi skllevër!
37 Çka qet toka e marrin mbretërit
që na i vure për fajin tonë:
bëjnë me ne e me gjënë tonë
çka atyre u këcen në kokë!
Vaj për ne në ç’mjerim kem’ rënë!”