1 Kur arriti muaji i shtatë, izraelitët ishin vendosur në qytetet e veta.
Atëherë u bashkua mbarë populli si një njeri i vetëm në sheshin që është para derës së Ujërave dhe i thanë skribit Esdra ta sjellë librin e Ligjit të Moisiut, që Zoti ia kishte dhuruar Izraelit.
2 Atëherë prifti Esdra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë.
3 Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lëxonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit.
4 Skribi Esdra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtë të tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtë ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami.
5 Esdra e hapi Librin para syve të terë popullit ‑ sepse qëndronte pak më lart se populli ‑ dhe, kur e hapi librin, u ngrit në këmbë i tërë populli.
6 Atëherë Esdra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart, u përgjigj: “Amen, amen!” pastaj u përkulën dhe e adhuruan Hyjin me fytyrën e ulur deri në tokë.
7 Levitët Jezuai, Baniu, Serebia, Jamini, Akubi, Septaji, Hodia, Maasia, Celita, Azaria, Jozabedi, Hanani dhe Falaja, ia shpjegonin popullit Ligjin, ndërsa populli qëndronte në vendin e vet.
8 Dhe Librin e Ligjit të Hyjit e lëxonin pjesë pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.
9 Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe skribi Esdra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit.
10 Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.”
11 Levitët e qetësonin mbarë popullin dhe thoshin: “Pushoni, sepse është ditë e shenjtë e Zotit e s’bën të trishtoheni!”
12 Mbarë populli shkoi të hante, të pinte e t’u çonte pjesë atyre që s’kishin, e të kremtonte, sepse i kishin kuptuar fjalët që ua kishin shtjelluar.
13 Ditën e dytë u mblodhën te skribi Esdër zotët e shtëpive të mbarë popullit, priftërinjtë dhe levitët, për t’i shqyrtuar fjalët e Ligjit.
14 Në Ligj e gjetën të shkruar se Zoti e ka dhënë me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit gjatë festës të të shtatit muaj, duhet të banojnë nën tenda.
15 Sa e dëgjuan këtë, e shpallën dhe e përhapën në të gjitha qytetet e veta dhe në Jerusalem: “Dilni në mal e sillni gema ulliri, degëza ulliri të egër, mërsine, degë myrtash dhe palmash si dhe degë drujsh tjerë gjethorë për të ndërtuar tana siç është e shkruar.”
16 Populli doli, i solli dhe i ndërtuan tanat, secili në pullazin e vet, në oborret e veta, në oborret e Shtëpisë së Hyjit, në sheshin e derës së Ujërave dhe në sheshin e derës së Efraimit.
17 Mbarë, pra, bashkësia e atyre që u riatdhesuan nga shpërngulja, i punuan tanat dhe banuan në to. Prej kohës së Jozuehut, birit të Nunit, izraelitët nuk e kishin bërë këtë gjë prandaj u bë gëzim shumë i madh.
18 Esdra e lexonte Librin e Ligjit të Hyjit çdo ditë, nga dita e parë e deri në të sprasmen. U kremtua shtatë ditë me radhë ndërsa ditën e tetë u bë tubimi, si është përcaktuar.