1 Kur Sanabalati, Tobia, Gosemi Arab dhe armiqtë tanë të tjerë, dëgjuan se po e përfundoja ndërtimin e mureve dhe se në to s’kishte mbetur asnjë vrimë ‑ megjithëse deri atëherë ende nuk i kisha vendosur krahët e dyerve në dyer ‑
2 Sanabalati e Gosemi më çuan fjalë: “Eja të takohemi në Cefirim, në fushën Ono.” Ata kishin menduar të më bëjnë ndonjë të keqe.
3 Këndej edhe unë ua dërgova lajmëtarët e mi me këtë porosi: “Jam tepër i zënë me punë e s’mund të zbres atje: nëse zbres atje të takohem me ju puna do të ndërpritet?”
4 Katër herë ma dërguan po të njëjtën thirrje dhe unë ua ktheva të njëjtën përgjigje.
5 Sanabalati për të pestën herë ma dërgoi të njëjtën grishje dhe e dërgoi shërbëtorin e vet që ma solli një letër të hapur, në të cilën shkruante:
6 “Është hapur zëri ndër popuj ‑ ndërsa Gosemi pohon ‑ se ti dhe judenjtë mendoni të bëni kryengritje dhe prandaj i ndërtoni muret dhe se dëshiron të bëhesh mbret mbi ta. Është përhapur fjala
7 se i ke caktuar edhe profetët që ta shpallin suksesin tënd në Jerusalem dhe të thonë: ‘Judeja ka mbret!’ Tashti këto fjalë do t’i shkojnë mbretit në vesh. Prandaj hajde të këshillohemi së bashku.”
8 Por vetë i përgjigja: “Asgjë s’ka ndodhur prej gjithë atyre që ti i pohon: të gjitha këto janë trillime të mendjes sate!”
9 Sepse ata donin të na trembnin e u thoshte mendja: “Do t’u zihen krahët nga puna dhe s’do ta kryejnë kurrë.” Ndërsa mua përkundrazi, edhe më shumë më zhdërvilloheshin krahët!
10 Shkova në shtëpinë e Semajës, të birit të Dalajës së Metabeelit, që qe mbyllur në shtëpi. Ai tha:
“Të shkojmë së bashku në Tempullin e Hyjit,
në mes të Tempullit:
t’i mbyllim mirë dyert e Tempullit,
sepse do të vijnë për të të vrarë;
Po, që sonte, do të vijnë të të vrasin!”
11 Unë i përgjigja: “Vallë a ikën një njeri si jam unë? Cili burrë, si unë, do të hynte në Tempull për ta shpëtuar jetën? Jo, unë nuk hyj!”
12 Ma mori mendja se nuk e kishte dërguar Hyji, por e kishin paguar Tobia e Sanabalati të më profetizojë.
13 E vërtet, kishte pasë marrë para që të ma shtinte frikën dhe të gaboja e të kishin arsye të më përqeshnin e të flisnin keq për mua.
14 Mos i harro, Hyji im, Tobinë e Sanabalatin, për gjithçka kanë vepruar; mos e harro as profeteshën Noadi, as profetët e tjerë që deshën të më frikësojnë!
15 Me njëzet e pesë të muajit Elul u kryen muret, për pesëdhjetë e dy ditë.
16 Kur e morën vesh të gjithë armiqtë tanë dhe kur panë të gjithë paganët që ishin përreth nesh, pasi e rrahën mendjen e vet, e kuptuan se kjo vepër ishte e kryer prej Hyjit.
17 Ato ditë shumë bujarë judenj i dërguan shumë letra Tobisë, po edhe Tobia u dërgoi atyre.
18 Sepse në Jude shumë ishin lidhur me të me përbetim, pasi ai ishte dhëndri i Sekenisë, të birit të Aresë, edhe Johanani, biri i tij, e kishte marrë për grua të bijën e Mosolamit, të birit të Barakisë.
19 S’ pushonin duke e lavdëruar atë para meje e fjalët e mia ia përcillnin atij. Tobia dërgonte letra për të më frikësuar.