< Neh 1 Neh 3 >
Lexim prej librit të Nehemisë(Neh 2)
2

1 Në muajin e Nisanit të vitit njëzetë të mbretit Artakserks, kur ishte koha e pijes, e mora verën dhe ia ofrova mbretit. Kurrë më parë para tij nuk kisha qëndruar i trishtuar.

2 Prandaj mbreti më pyeti: “Pse je i pikëlluar në fytyrë? E pra, s’më dukesh se je i sëmurë! S’është gjë tjetër, por një farë pikëllimi në zemër.” Unë atëherë u tremba për së forti

3 e i thashë mbretit: “Le të rrojë mbreti sa malet! Por unë si të mos e kem fytyrën e trishtuar, kur qyteti ku janë varrosur prindërit e mi është i shkretuar e dyert e tija të djegura me zjarr?”

4 Atëherë mbreti më tha: “Çfarë, pra, dëshiron?” Atëherë iu luta Hyjit të qiellit

5 e i thashë mbretit: “Nëse mbretit i duket punë e mirë dhe, nëse është i kënaqur me shërbëtorin e vet, më dërgo në Jude në qytetin e varrezave të etërve të mi që ta rindërtoj.”

6 Mbreti që e kishte mbretëreshëm ndenjur përbri, më pyeti: “Sa kohë do të zgjasë udhëtimi yt? Kur do të kthehesh?” Pasi ia caktova kohën, mbretit i pëlqeu të më dërgojë.

7 Pastaj i thashë mbretit: “Nëse mbretit i duket punë e mirë, do të kisha nevojë të më jepen disa letra për qeveritarët e Përtejlumit që të më lejojnë të kaloj deri në Jude.

8 Gjithashtu edhe një letër për Asafin, rojtarin e pyllit të mbretit që të më japë lëndë për ndërtimin e dyerve të qytezës së Tempullit, të mureve e të shtëpisë ku do të banoj.” E mbreti m’i dha sepse dora bamirëse e Hyjit tim ishte mbi mua.

9 Arrita te qeveritarët e Përtejlumit dhe ua dhashë letrat. Mbreti më kishte dhënë si përcjellje disa udhëheqës ushtarakë dhe disa kalorës.

10 Kur e mori vesh Sanabalat Horoniti dhe shërbëtori Tobi Amoniti, u erdhi shumë keq që kishte ardhur dikush për t’u kujdesuar për të mirën e bijve të Izraelit.

11 Si erdha në Jerusalem, ndenja aty tri ditë.

12 Atëherë u ngrita natën i shoqëruar nga disa burra, pa i treguar askujt se Hyji im ma kishte frymëzuar zemrën të bëj diçka për Jerusalemin. S’kisha me vete tjetër kafshë, përveç asaj në të cilën kalëroja unë.

13 Dola natën nëpër derën e Luginës dhe u drejtova drejt Burimit të Dragoit e pastaj drejt derës së Mbeturinave duke i vërejtur muret e Jerusalemit si ishin të rrënuara dhe dyert e djegura nga zjarri.

14 Pastaj kalova kah dera e Burimit dhe kah Peshkorja e Mbretit e pastaj kafsha të cilën kaloroja nuk kishte mundësi të kalonte.

15 Atëherë u ngjita natën luginës duke shikuar muret; pastaj hyra për derën e Luginës dhe u ktheva në shtëpi.

16 Këshilltarët nuk dinin as ku kisha shkuar as çfarë bëja.

Deri atëherë nuk u kisha treguar asgjë as judenjve, as priftërinjve, as parisë, as këshilltarëve, as përgjegjësve të vendit.

17 Atëherë u thashë: “Ju po e shihni mjerimin në të cilin gjendemi: Jerusalemi është i rrënuar dhe dyert e tija të djegura. Ejani t’i ndërtojmë muret e Jerusalemit e të mos jemi më loja e dheut!”

18 Atëherë u tregova se dora bamirëse e Hyjit tim ishte mbi mua si dhe fjalët e mbretit që m’i kishte thënë. Ata thanë: “Të ngritemi e të ndërtojmë!” Dhe ia hynë plot fuqi kësaj pune së mirë.

19 Por kur dëgjuan Sanabalat Horoniti, Tobia, shërbëtori Amanit dhe Gosem Arabi, na vunë në lojë, na përbuzën e na thanë:

“Çfarë po bëni ashtu? A doni të ngriteni kundër mbretit?”

20 Unë u përgjigja kështu: “Vetë Hyji i qiellit po na e prin të mbarën dhe ne jemi shërbëtorët e tij dhe ia hymë ndërtimit, kurse ju as s’keni pjesë, as të drejtë dhe as ndonjë kujtim në Jerusalem.”



Fjala e Zotit