< Neh 12 Tob 1 >
Lexim prej librit të Nehemisë(Neh 13)
13

1 Aso kohe Libri i Moisiut u lexua para popullit dhe në të u gjet e shkruar se amonët dhe moabët askurrë s’do të hyjnë në bashkësinë e Hyjit,

2 sepse nuk u kishin dalë para bijve të Izraelit me bukë e me ujë dhe se e kishin marrë me vete Balaamin për t’i mallkuar izraelitët, por Hyji ynë e shndërroi mallkimin e tyre në bekim.

3 Kur e dëgjuan Ligjin, u përjashtuan nga Izraeli të gjithë të huajt.

4 Para kësaj, prifti Eliasib, që ishte mbikëqyerës i dhomave të Shtëpisë së Hyjit tonë dhe ishte i afërt me Tobinë,

5 ia kishte liruar këtij një dhomë të madhe, ku përpara ruheshin dhuratat, kemi, enët, të dhjetat e drithërave, të verës, të vajit, pjesët e levitëve, të këngëtarëve dhe pjesët që mblidheshin për priftërinjtë.

6 Aso kohe unë nuk isha në Jerusalem, sepse në vitin e tridhjetedytë të Artakserksit, mbretit të Babilonit, isha kthyer te mbreti; por pas pak kohe ia dola të nxjerr leje prej mbretit që të mund

7 të kthehesha në Jerusalem. E mora vesh të keqen që Eliasibi e kishte bërë për t’i bërë mirë Tobisë: i kishte lëshuar një dhomë në tremet e Shtëpisë së Hyjit.

8 U hidhërova aq shumë sa, i flaka jashtë orenditë e Tobisë nga thesari,

9 dhashë urdhër t’i pastrojnë dhomat dhe i ktheva në të enët e Shtëpisë së Hyjit, kushtet dhe kemin.

10 Mora gjithashtu vesh se levitëve nuk u ishin dhënë pjesët e tyre dhe se të gjithë levitët e këngëtarët që shërbenin, kishin ikur në arat e veta.

11 Atëherë i qortova bujarët dhe thashë: “Pse nuk jeni kujdesur për Shtëpinë e Hyjit?” Pastaj i bashkova levitët dhe këngëtarët dhe i vendosa në vendet e tyre.

12 Atëherë mbare Juda i solli të dhjetat e drithit, të verës dhe të vajit në depotë.

13 Për mbikëqyrjen e depove e caktova priftin Selemi, skribin Sadok dhe levitin Fadajë, e përveç tyre edhe Hananin, birin e Zakurit, dhe birin e Matatisë, sepse mbaheshin për njerëz besnikë. Këta e kishin për detyrë t’ua ndanin vëllezërve pjesët që u takonin.

14  Të bie ndër mend për mua, Hyji im, për këtë: mos i zhduk veprat e mia të mira që i bëra për Shtëpinë e Hyjit tim dhe për shërbesat në të!

15 Ato ditë pashë në Judë njerëz që shkelnin me këmbë në shtrydhësin e ullijve ditën e shtunë; të tjerët mbartnin dujë gruri, ngarkonin në gomarë verë, rrush, fiq e barrë të tjera, në mënyrë që t’i sillnin ditën e shtunë në Jerusalem. I qortova njerëzit që pikërisht atë ditë shitnin gjëra ushqimore.

16 Po ashtu edhe tirasit që jetonin në Jerusalem sillnin aty peshk dhe gjithfarë mallrash për t’ua shitur të shtunën çifutëve në Jerusalem.

17 I qortova rëndë bujarët e Judës dhe u thashë: “Ç’është kjo punë e keqe që po e bëni e po e prishni të shtunën?

18 A nuk kanë bërë kështu etërit tanë për çka dhe Hyji ynë na i solli të gjitha këto të zeza mbi ne e mbi këtë qytet? Ju po e rritni hidhërimin kundër Izraelit duke mos e shenjtëruar të shtunën!”

19 Dhe urdhërova gjithashtu që që në vigjilie të shtunës, kur bie terri në dyert e Jerusalemit, të mbyllen dhe të ndryhen e të mos hapen deri sa të kalonte e shtuna. Vura disa nga djelmoshat e mi në dyer që të mos futet kurrfarë barre ditën e shtunë.

20 Kështu tregtarët dhe shitësit e mallrave të ndryshëm kaluan natën një herë a dy jashtë Jerusalemit.

21 Por u kam bërtitur dhe ua kam tërhequr vërejtjen: “Pse e kaloni natën përbri mureve? Nëse do ta përsëritni këtë gjë, do të vë dorë mbi ju.” Prej asaj dite nuk erdhën më të shtunën.

22 U urdhërova levitëve të pastrohen e të vijnë e t’i ruajnë dyert që të shenjtërohet dita e shtunë.

Edhe për këtë le të bie ndër mend për mua, Hyji im, dhe ki mëshirë për mua sipas mëshirës sate të madhe!

23 Ato ditë pashë edhe se disa judenj ishin martuar me bija azotësh, amonësh e moabësh.

24 Gjysma e fëmijëve të tyre fliste azotisht, ose me gjuhën e këtij ose atij populli e nuk dinin të flisnin çifutërisht.

25 I qortova ashpër, i nëma, disa edhe i rraha, flokët ua shkula dhe i përbetova me Hyjin të mos i japin bijat e veta për bijtë e tyre dhe të mos marrin për djemtë e vet e për vete bijat e tyre. U thashë:

26 “Vallë a nuk mëkatoi kësisoji edhe Salomoni, mbreti i Izraelit? S’kishte mbret tjetër aso kohe që mund të krahasohej me të! Ishte i dashur prej Hyjit të vet, prandaj Hyji e vuri mbret mbi mbarë Izraelin; por edhe këtë gratë e huaja e çuan në mëkat!

27 A thua se për t’ua mbajtur krahun juve do të bëhemi pjesëtarë në këtë të keqe kaq të madhe e do të jemi të pabesë ndaj Hyjit tonë me marrjen e grave të huaja?”

28 Njëri nga bijtë e Jojadës, të kryepriftit Eliasib, ishte dhëndër i Sanabalat Horonitit. Atë e dëbova prej meje.

29 Hyji im, mos i qit në harresë këta njerëz, që e përdhosin priftërinë dhe besëlidhjen priftërore e levitike!

30 Kështu i pastrova nga çdo element i huaj, përsëri i rivendosa shërbesat e priftërinjve dhe të levitëve, secilin në shërbimin e vet.

31 E rregullova edhe sjelljen e druve në ditët e caktuara dhe sjelljen e fryteve të para.

Kujtohu për mua, dhe për të mirën time, Hyji im!



Fjala e Zotit