1 Fjalët e Nehemisë, të birit të Helkisë. Në muajin Kasleu të vitit njëzet, kur unë isha në qytezën Suzë,
2 erdhi Hananiu, një nga vëllezërit e mi, me disa burra nga Juda. I pyeta për judenjtë ‑ për Tepricën e shpëtuar nga shpërngulja ‑ dhe për Jerusalemin.
3 Ata më thanë “Teprica që shpëtoi nga shpërngulja dhe gjenden në krahinë, janë si është më zi në mjerim e të poshtëruar. Muret e Jerusalemit janë të rrënuara e dyert e tija të djegura nga zjarri.”
4 Kur i dëgjova këto fjalë, u ula e qava. Mbajta zi për disa ditë: agjërova e u lutja në praninë e Hyjit të qiellit.
5 E thashë:
“Po të lutem, o Zot, Hyji qiellor, Hyji i fuqishëm, i madhërueshëm e i tmerrshëm, ti që e mban bësëlidhjen dhe s’ua mungon dashurinë atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua!
6 Deh, le të jenë veshët e tu të gatshëm e sytë e tu të hapur për ta dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd! Po ta drejtoj tani, ditë e natë, për bijtë e Izraelit, shërbëtorët e tu e po i pranoj mëkatet e bijve të Izraelit, me të cilat mëkatuan kundër teje. Kam mëkatuar edhe unë dhe shtëpia e tim eti.
7 Bëmë si është më zi kundër teje e nuk i mbajtëm urdhërimet, ligjet e zakonet, që ia dhe Moisiut, shërbëtorit tënd.
8 Të bie ndër mend fjala që si urdhër ia dhe Moisiut, shërbëtorit tënd: ‘Nëse do të ma shkelni besën, unë do t’ju tres ndër popuj paganë;
9 por prapë, nëse do të ktheheni kah unë, do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i zbatoni ato, edhe nëse do të keni për të qenë të humbur në skajin e qiellit, edhe prej andej do t’ju bashkoj e do t’ju kthej në vendin që e kam zgjedhur për të banuar Emri im.’
10 Ja, pra, këta janë shërbëtorët e tu e populli yt që ti i shpërbleve me fuqinë tënde të madhe e me dorën tënde të pushtetshme.
11 Deh, po të lutem, o Zot, le të jetë veshi yt i gatshëm ta dëgjojë lutjen e shërbëtorit tënd dhe lutjen e shërbëtorëve të tu që dëshirojnë ta kenë frikën e Emrit tënd. Deh prija sot të mbarën shërbëtorit tënd e bëj që të gjejë hir para syve të këtij njeriu.”
Unë aso kohe isha kuptar i mbretit.