1 Profecia mbi Ninivën. Libri i vegimit të Nahumit Elcezeas.
HYRJE
Psalm. Zemërimi i Zotit
2 Hyj ziliqar e hakmarrës është Zoti!
Hakmarrës është Zoti e plot zemërim!
Hakmarrës është Zoti kundër armiqve të vet,
dhe ruan zemërimin për kundërshtarët e vet.
3 Zoti është i durueshëm e i madhërueshëm në fuqi,
s’ka fajtor që e lë të pandëshkuar!
Udha e tij në shtrëngatë edhe në vorbull,
retë janë pluhuri i këmbëve të tij!
4 Kërcënon detin e ai thahet,
të gjithë lumenjtë i shndërron në shkretëtirë!
U shkrumbuan Basani e Karmeli,
u vyshk lulja e Libanit!
5 Para tij tunden malet,
dridhen kodrat,
trandet toka para tij,
e gjithësia me banorë të vet!
6 Kush mund të qëndrojë para zemërimit të tij,
t’i bëjë ballë flakës së zemërimit të tij?
Inati i tij u derdh si zjarri,
dhe qetat u shkrinë prej vapës së tij!
7 I mirë është Zoti,
është strehim në ditë të vështirë,
i njeh ata që në të kanë shpresën
8 edhe kur vërshon përmbytja.
Do t’i shuajë kundërshtarët e vet,
armiqtë e tij do t’i hajë terri!
Qortime profetike Judës e Ninivës
/Judës/
9 Çfarë mendoni kundër Zotit?
Ai është ai që asgjëson çdo gjë!
S’ka nevojë të ndrydhë dy herë!
10 Si ferrat e dendura
ndër vete të gërshetuara,
si pijanecat e dehur,
do të asgjësohen si kashta krejt e thatë!
/Asurit/
11 Prej teje doli
ai që Zotit të keqen ia mendon,
këshilltari që synon kryengritjen!
/Judës: vegim/
12 Kështu thotë Zoti:
“Le të jenë të fortë, le të jenë, në dashtë, shumë,
do të krasiten e do të zhduken!
Ty të ndëshkova,
porse nuk do të të ndëshkoj!
13 Copë do ta bëj shkopin që shpinës të binte,
vargonjtë e tu grimë‑grimë do t’i bëj”!
/Mbretit të Ninivës: vegim/
14 Për ty Zoti do ta japë këtë urdhër:
“Nuk do të lindë më djalë në vatër!
Në tempull të hyjit tënd do të zhduk
idhujt e gdhendur e të shkrirë
e do ta vë varrin tënd
sepse i pandershëm je!”
/Judës/