1 Kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli.
2 Dhe ja, një i gërbulur iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: “O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.”
3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua, shërohu!” Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij.
4 Jezusi i tha: “Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.”
5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:
6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”
7 Jezusi i tha:
“Do të vij dhe do ta shëroj.”
8 Por centurioni iu përgjigj:
“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”
10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:
“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe!
11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit,
12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.”
13 Atëherë i tha centurionit: “Shko e le të bëhet ashtu siç besove!”
Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.
14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit të shtrirë me ethe.
15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua dhe i shërbeu.
16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë:
“Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona”
18 Jezusi, kur e pa turmën e njerëzve që po e rrethonte, dha urdhër të kalojnë në anën tjetër.
19 Ndërkaq u afrua një skrib e i tha:
“Mësues, do të vij pas teje ngado që të shkosh.”
20 Jezusi iu përgjigj:
“Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”
21 Një tjetër nga nxënësit e tij tha:
“Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë.”
22 Jezusi iu përgjigj:
“Eja pas meje e lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet!”
23 Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij.
24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:
“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”
26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe.
27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”
28 Sapo kaloi në bregun tjetër ‑ në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge.
29 Dhe ja, bërtitën:
“Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?”
30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash.
31 Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit:
“Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!”
32 Ai u tha: “Shkoni!”
Ata dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë.
33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit.
34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.