1 Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli.
2 Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit.
3 Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha:
“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”
4 Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“
5 Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit
6 dhe i tha:
“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet,
dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!”
7 Jezusi iu përgjigj:
“Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe:
‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”
8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre
9 e i tha:
“Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”.
10 “Atëherë Jezusi tha:
“Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,
dhe shërbeji vetëm Atij!’“
11 Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile.
13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit,
14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,
në drejtim të detit, përtej Jordanit,
Galileja pagane,
16 populli që gjendej në errësirë,
pa një dritë të madhe;
atyre që banonin në krahinën e hijes
së vdekjes u lindi drita.”
17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
18 Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë.
19 E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”
20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.
21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri.
22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.
23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.
24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte.
25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.