< Mt 2 Mt 4 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 3)
3

1 Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë

2 e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”

3 Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha:

Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

përgatitni udhën e Zotit,

rrafshoni shtigjet e tij!

4 Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër.

5 Asohere vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.

6 E pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.

7 Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?

8 Bëni, pra, vepra të denja kthimi!

9 As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve!

10 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.

11 Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarrr.

12 Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”

13 Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij.

14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?”

15 Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.”

Atëherë e lejoi.

16 Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të.

17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”



Fjala e Zotit