< Mt 27 Mk 1 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 28)
28

1 Pas të shtunës, në të zbardhur të dritës ‑ të ditës së parë të javës, shkuan Maria Magdalenë dhe Maria tjetër për të parë varrin.

2 Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të.

3 Fytyra e tij ishte porosi vetëtima e petku i tij i bardhë porsi bora.

4 Rojtarët, prej frikës së tij, u dridhën dhe u bënë si të ishin të vdekur.

5 Atëherë engjëlli u tha grave:

“Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar!

6 Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë

7 e pastaj nxitoni të shkoni e t’ua tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!”

8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij.

9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha:

“Ju falem!”

Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.

10 Atëherë Jezusi u tha:

“Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”

11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi.

12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve

13 dhe u thanë:

“Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën.

14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.”

15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.

16 Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi.

17 Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan.

18 Jezusi u afrua e u tha:

“Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

19 Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!

20 Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”



Fjala e Zotit