< Mt 1 Mt 3 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 2)
2

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë,

2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi.

4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia.

5 Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,

ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi

ndër qytetet princërore të Judës,

sepse prej teje do të dalë prijësi,

që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë:

8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

9

Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija.

10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë.

11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë.

12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.

13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.”

14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt.

15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”

16 Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë ‑ sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.

17 Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:

18 “U dëgjua një klithmë në Ramë

‑ vaj e gjëmë e madhe:

vajton Rakela fëmijët e vet

e nuk do të pajtohet ‑ sepse nuk i ka më!”

19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt

20 dhe i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit.”

21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit.

22 Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë.

23 Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: Do të quhet Nazarenas.



Fjala e Zotit