1 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë.
2 Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita.
3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.
4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit:
“Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”
6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi.
7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!”
8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.
9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi:
“Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”
10 Atëherë nxënësit e pyetën:
“Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë përpara Elia?”
11 Ai iu përgjigj:
“Po, Elia do të vijë dhe do të vërë çdo gjë në vend të vet.
12 Porse, unë po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të gjithçka deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë shumë prej tyre.”
13 Atëherë nxënësit e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzuesin.
14 Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunj para tij
15 dhe i tha:
“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë!
16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”
17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!”
18 Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.
19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën:
“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”
20 Ai u përgjigj:
“Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”
21
22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha:
“S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve
23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”
Ata u pikëlluan së tepërmi.
24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë:
“A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”
25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri.
Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara:
“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”
26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”.
27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”