< Mt 11 Mt 13 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 12)
12

1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑ Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë.

2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:

“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”

3 Jezusi u përgjigj:

“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij?

4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë?

5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat?

6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli!

7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj.

8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”


9 Jezusi u çua prej andej e shkoi në sinagogën e tyre.

10 Dhe, ja, aty ishte një njeri që e kishte dorën e thatë. E pyetën me qëllim që të mund ta paditnin:

“A është e lejueshme që ndokush të shërojë ditën e shtunë?”

11 Jezusi u përgjigj:

“A ka ndër ju njeri të tillë që, po i ra e vetmja dele që ka në gropë të shtunën, nuk shkon e nuk e nxjerr?

12 E njeriu sa është më i vlefshëm se delja? Prandaj, kush thotë se nuk është e lejueshme të bësh mirë të shtunën?”

13 Atëherë i tha njeriut: “Shtrije dorën tënde!”

Ai e shtriu dorën ‑ e dora iu bë shëndoshë si tjetra.

14 Farisenjtë, si dolën jashtë, mbajtën këshillim kundër tij si ta vrisnin.

15 Kur Jezusi e mori vesh, u largua prej andej. Pas tij shkuan shumë vetë dhe ai i shëroi të gjithë.

16 I urdhëroi që të mos e shpallnin,

17 për të shkuar në vend fjala e Isaisë profet:

18 “Ja shërbëtori im, të cilin e zgjodha,

i Dashuri im, që e ka për zemër shpirti im.

Në të do ta vë Shpirtin tim.

Ai do t’u lajmërojë paganëve fenë e vërtetë.

19 Nuk do të kërcënojë as nuk do të bërtasë,

askush s’do ta dëgjojë zërin e tij në sheshe.

20 As kallamin e shkelur s’do ta thyejë,

as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë

derisa ta ketë çuar të drejtën në fitore.

21 Në Emrin e tij do të shpresojnë popujt.”


22 Atëherë i sollën një të djallosur që ishte i verbër e memec. Jezusi e shëroi, kështu që memeci mundi të flasë e të shohë.

23 Mbarë populli mbeti i habitur e thoshte: “A mos është ky Biri i Davidit?”

24 Por farisenjtë, kur dëgjuan, thanë: “Ky nuk i dëbon djajtë vetë, por i ndihmon Beelzebuli, kryetari i djajve.”

25 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e ndarë në vetvete, do të mbarojë dhe, s’ka qytet as shtëpi, të ndarë në vetvete, që mund të qëndrojë.

26 Nëse, pra, djalli e dëbon djallin ai është i ndarë në vetvete. E si atëherë do të mund të qëndrojë mbretëria e tij?

27 Nëse unë po i nxjerrkam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj!

28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Shpirtit të Hyjit, do të thotë se arriti ndër ju Mbretëria e Hyjit.

29 Ose prapë: si mund të hyjë ndokush në shtëpinë e të fortit e t’ia rrëmbejë orenditë, në qoftë se më parë nuk e lidh të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje e kush nuk mbledh me mua, ai shkapërderdh.

31

Prandaj po ju them: çdo faj e blasfemi do t’u falet njerëzve, kurse blasfemia kundër Shpirtit Shenjt, nuk do të falet.

32 E nëse ndokush thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, mund t’i falet faji, por nëse ndokush thotë ndonjë gjësend kundër Shpirtit Shenjt, nuk do t’i falet as në këtë botë as në botën e ardhshme.”


33 Për të pasur fryt të mirë, duhet ta keni pemën e mirë; në paçit pemë të keqe, ju do të keni fryte të këqija, sepse pema njihet prej frytit.

34 Gjarpërinj gjarpërinjsh! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja!

35 Njeriu i mirë, prej visarit të mirë, nxjerr gjëra të mira, njeriu i keq, prej visarit të keq nxjerr të këqija.

36 Unë po ju them: njerëzit do të përgjigjen në Ditën e Gjyqit për secilën fjalë të kotë që do ta kenë thënë:

37 Sepse, në saje të fjalëve të tua do të shfajësohesh ose në saje të fjalëve të tua do të dënohesh.

38 Një herë disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë:

“Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”

39

Ai u përgjigj:

“Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet!

40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net.

41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona!

42 Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”


43 “Kur qoftëlargu del nga njeriu, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim. Por nuk e gjen.

44 Atëherë thotë: ‘Po kthehem në shtëpinë time, prej së cilës dola. ’Kur arrin, e gjen shtëpinë të zbrazët, të fshirë e të rregulluar.

45 Atëherë shkon, merr me vete shtatë shpirtra më të këqij se vetë, hyjnë e vendosen aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.

Kështu do t’i ndodhë edhe kësaj breznie të prapë.”

46

Ndërsa ai ende po i predikonte popullit, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të.

47 Dikush i tha: [“Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.”]

48 Ai iu përgjigj atij që e lajmëroi:

“Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha:

“Ja, nëna ime e vëllezërit e mi!

50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”



Fjala e Zotit