< Mt 10 Mt 12 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Mateut(Mt 11)
11

1 Kur Jezusi i kreu porositë që deshi t’ua japë dymbëdhjetë nxënësve të vet, u nis së andejmi për të mësuar e për të predikuar në qytetet e atjeshme.


2 Tashti, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet

3 për ta pyetur:

“A je ti ‘Ai që do të vijë,’ apo duhet të presim një tjetër?”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni:

5 Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli.

6 I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”

7 Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Çka dolët të shihni në shkretëtirë? Kallamin që e luhat era?

8 Apo çka dolët të shihni? Njeriun që vishet me petka të bukura? Ja, ata që vishen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore!

9 Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet,

10 sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje

që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’

11 Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai.

12 Që prej ditëve të Gjon Pagëzuesit e deri tani Mbretëria e qiellit po depërton me vështirësi e vetëm të fortët e shtijnë në dorë.

13 Vërtet të gjithë Profetët dhe vetë Ligji paralajmëruan deri te Gjoni.

14 Ai është ‑ nëse doni ta merrni vesh të vërtetën ‑ Elia, që duhej të vijë.

15 Kush i ka veshët për të dëgjuar, të dëgjojë!

16 Me kë ta krahasoj këtë brezni? U përngjet djaloshave që rrinë në sheshe e u thërrasin shokëve

17 e u thonë:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet;

bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

18 Erdhi Gjoni: ai s’ha as s’pi e thonë: ‘Është i djallosur!

19 Erdhi Biri i njeriut: ai ha e pi, e thonë: ‘Ja, grykësi e pijaneci! Miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!’ Por dija përligjet nga veprat e veta!”


20 Atëherë zuri t’i qortojë qytetet, në të cilat Jezusi kishte bërë shumë e shumë mrekulli, e ato nuk u kthyen.

21 “I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë në Tir e në Sidon të gjitha ato mrekulli që u bënë ndër ju, kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë.

22 Prandaj po ju them: Tiri e Sidoni do ta kenë më lehtë se ju Ditën e Gjyqit!

23 E ti, o Kafarnaum,

a thua do të ngritesh deri në qiell?

Ti do të plandosesh deri në ferr!

Sepse, sikur të ishin bërë në Sodomë mrekullitë që u bënë në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite!

24 Prandaj po ju them: treva e Sodomës do ta ketë më lehtë se ti ditën e Gjyqit!”


25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:

“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,

e ua zbulove të vegjëlve.

26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!

27 Ati më dorëzoi mua gjithçka

dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,

dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit

e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh.

29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj,

30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”



Fjala e Zotit