1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.
2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai;
3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu;
4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.
5 Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi:
“Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve!
6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’
8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!
9 Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri;
10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet.
11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai derisa të shkoni më tej.
12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe.
13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju.
14 Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja.
15 Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomorra se ai qytet.”
16 “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!
17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre.
18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve.
19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni,
20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin.
22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
24
Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij.
25 Mjaft është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për familjarët e tij!”
26 “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet.
27 Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!
28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.
29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj.
30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara!
31 Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”
32 “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij.
33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”
34 “Mos mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë. Nuk erdha të sjell paqen, po shpatën.
35 Sepse erdha të ndaj
djalin prej të atit,
vajzën prej s’ëmës,
të renë prej vjehrrës,
36 Njeriu do t’i ketë armiq familjarët e vet.
37 Kush e do të atin e të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua!
38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua!
39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkakun tim, do ta rifitojë.”
40 “Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua.
41 Kush e pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”