1
Dhe u thoshte:
“Për të vërtetë po ju them: ka këtu ndër ju nga ata që nuk do të vdesin para se të shohin se arriti me fuqi Mbretëria e Hyjit.”
2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre.
3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu.
4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.
5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:
“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas.
7 Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!”
8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.
9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri.
10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?”
11 Dhe e pyetën:
“Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?”
12 “S’ka dyshim ‑ iu përgjigj ‑ më parë duhet të vijë Elia për të vënë përsëri çdo gjë në vendin e vet. Por, pse atëherë u shkrua për Birin e njeriut se i duhet të pësojë shumë e të përbuzet?
13 Veçse, unë po ju them: Elia erdhi e bënë me të si deshën, po ashtu siç shkruan për të në Shkrimin e shenjtë.”
14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta.
15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur.
16 Ai i pyeti:
“Mbi çka diskutoni me ta?”
17 Dikush prej morisë iu përgjigj:
“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë.
18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”
19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”
20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.
21 Jezusi e pyeti babanë e tij:
“Tani sa kohë i ndodh kështu?”
22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”
23 “Nëse mund të bësh gjë... ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”
24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:
“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”
25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:
“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”
26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!”
27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:
“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”
29 Ai iu përgjigj:
“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”
30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush,
31 sepse i mësonte nxënësit e vet.
U thoshte:
“Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”
32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesinin.
33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti:
“Mbi çka biseduat rrugës?”
34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi.
35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha:
“Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”
36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e pëqafoi dhe u tha:
37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”
38 Gjoni i tha:
“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”
39 Jezusi i tha:
“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua.
40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.
41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë sepse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.”
42 ”Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë (në mua) të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.
43 Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr ‑ në zjarr që s’fiket kurrë.
44
45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr.
46
47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr.
48 Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’
49
Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr.
50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe me njëri-tjetrin!”