< Mt 28 Mk 2 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Markut(Mk 1)
1

1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit.

2 Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet:

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje

që do ta bëjë gati udhën tënde;

3 është zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë:

‘bëni gati udhën e Zotërisë,

rrafshoni shtigjet e tij!’“,

4 në shkretëtirë u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

5 Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan.

6 Gjoni ishte i veshur me një petk prej leshi deveje e rreth ijesh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër.

7 Në predikimet e veta thoshte:

“Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tij.

8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.”

9 Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan.

10 Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të,

11 kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir ‑ Djali i dishirit! Ty të miratova!”

12 Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë.

13 Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit.

15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë.

17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”

18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij.

19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat.

20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë.

22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

25 Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij.

27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.

30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.

Menjëherë i treguan për të.

31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit.

33 Mbarë qyteti u mblodh para derës.

34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.


35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej.

36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë.

37 Kur e gjetën i thanë:

“Të gjithë po të kërkojnë.”

38 Ai u tha:

“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.


40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua.

43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:

44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.



Fjala e Zotit