< Jon 4 Mik 2 >
Lexim prej librit të Mikese(Mik 1)
1

1 Fjala e Zotit e drejtuar Mikesë nga Morasti në kohën e Joatamit, Akazit e Ezekisë, mbretërve të Judës. Vegimet e tij në lidhje me Samarinë e me Jerusalemin.

2 Dëgjoni, popuj, të gjithë! Të dëgjojë toka me gjithçka është në të! Le të dëshmojë Zoti Hyj kundër jush, Zoti nga Tempulli i tij i shenjtë!

3 Sepse, ja, Zoti po del nga vendi i vet i shenjtë: Ai po zbret e po i shkel majat e tokës!

4 Nën këmbë të tij po shkrihen malet, pëlcasin luginat porsi dylli para zjarrit, si ujërat që derdhen shpatit!

5 E gjithë kjo për shkak të fajit të Jakobit, për shkak të mëkateve të shtëpisë së Izraelit! Cili është faji i Jakobit? Pse a nuk është Samaria? Cilat janë lartësirat e Judës? A nuk është Jerusalemi?

6 Samarinë do ta bëjë grumbull gurësh, arë ku mbëltohet hardhia! Në luginë do t’ia rrotulloj gurët, jashtë do t’ia nxjerr themelet!

7 Do t’ia copëtoj të gjitha truporet, të gjitha shpërblimet do t’i digjen në zjarr, do t’i rropos të gjithë idhujt e tij, sepse u mblodhën me mëditje lavirësie, prapë do të kthehen në pagë lavirësie!

8 Për këtë do të qaj e do të ulërij,

do të eci zbathur e zhveshur,

si çakalli do të ulërij,

porsi struci do të lëshoj gjëmë,

9

sepse e pashërueshme është varra e tij,

se arriti deri te Juda,

preku dyert e popullit tim

mu deri në Jerusalem!

10

Mos e hapni lajmin në Get,

lotë mos derdhni,

në Betleafër rrotullohuni në pluhur!

11

Shpërnguluni, banorët e Safirit,

me turp të mbuluar!

S’e lëshuan vendin banorët e Saananit!

Vaj e gjëmë në Betesel,

në të më nuk do të banoni!

12

Me të drejtë ia kanë frikën të mirës

banorët e Marotit

sepse prej Zotit zbriti fatkeqësia

në derën e Jerusalemit!

13

Mbërtheni në karroca kuajt,

o banorët e Lakisit!

Ky qe fillimi i mëkatit të bijës së Sionit,

se në ty u gjetën fajet e Izraelit!

14

Prandaj do t’ia japësh letërshkurorëzimin Moresetgetit.

Pallatet e Akxibit do të jenë

gënjim për mbretër të Izraelit.

15

Edhe një pushtues do ta dërgoj

ty, o banuese e Maresës!

Deri në Odolë do të arrijë

nderi i Izraelit!

16 Shkuli flokët edhe qethu

për fëmijët e kënaqësisë sate!

Shoge kokën si shqiponja kryeshogtë,

se po të çohen fëmijët në skllavëri.



Fjala e Zotit