1 “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
2 Kush do t’i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan!
3 Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë.
4 Atëherë do t’i pëlqejë Zotit flia e Judës dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para.
5 Do t’ju afrohem në gjyq e do të jem dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kurorëshkelësve, beshtrembërve dhe kundër atyre që ndrydhin mëditësin, vejushat e jetimët, kundër atyre që ua hanë të drejtat shtegtarëve e që nuk më druajnë mua ‑ thotë Zoti i Ushtrive.”
Të dhjetat e Tempullit
6 “Unë jam Zoti, unë nuk ndërrohem,
kurse ju, bijtë e Jakobit, s’dini t’i jepni fund!
7 Që prej kohëve të etërve tuaj
iu larguat urdhërimeve të mia,
dhe nuk i mbajtët!
Kthehuni tek unë
e unë do të kthehem kah ju
‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Ju thoni: “E si të kthehemi?”
8 Pse, njeriu mund ta gënjejë Hyjin?
E ju, pra, më bëtë dredhi!
Ju thoni: “Si të bëmë dredhi?”
‑ Në të dhjeta e në fryte të para!
9 Të mallkuar jeni me mallkim
sepse më bëni braci
mbarë kombi pa dallim.
10 Silleni mbarë të dhjetën në drithnik
që të ketë ushqime në Shtëpinë time;
atëherë, në daçi, më vini në provë në këtë
‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑
pale a do t’jua çel ujëvarat e qiellit
e a do t’jua zbraz bekimin me mbushulli!
11 Do ta kërcënoj në të mirën tuaj karkalecin
e s’do ta dëmtojë frytin e tokës,
e hardhia s’do t’ju jetë e pafrytshme në vresht
‑ thotë Zoti i Ushtrive.
12 Mbarë popujt do t’ju shpallin të lumtur,
sepse do të jeni vend i kënaqjeve
‑ thotë Zoti i Ushtrive.”
Ngadhënjimi i të drejtëve Ditën e Zotit
13 “Të rënda janë fjalët tuaja kundër meje, thotë Zoti.
14 Ju thoni: ‘Po çfarë kemi thënë ne kundër teje’ ‑ Ju thoni: ‘Është punë e kotë t’i shërbehet Hyjit dhe çfarë fitojmë ne pse i mbajtëm urdhërimet e tij e kemi ecur të trishtuar para Zotit të Ushtrive?
15 Qe tani të lumtur do t’i quajmë krenarët; për së mbari po u shkon gjithçka atyre që bëjnë keq; ata e vënë Zotin në provë e gjë s’i gjen.’
16 Atëherë folën me njëri-tjetrin të devotshmit e Zotit. Zotynë ua vuri veshin e i dëgjoi: u shkrua një libër përkujtimor para tij në të mirën e atyre që e druajnë Zotin e që e nderojnë Emrin e tij.
17 Ata do të bëhen ditën që unë po e bëj gati ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ prona ime. Unë do t’i përdëllej siç e fal njeriu djalin e vet që i shërben.
18 Atëherë do ta shihni ndryshimin ndërmjet të drejtit e të patenzonit, ndërmjet atij që i shërben Zotit e atij që nuk i shërben.
19 Dhe, ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë Dita që po vjen ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ e s’do t’u lërë as rrënjë as gem!
20 Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullosë!
21 Do të shkelni përmbi mëkatarë, sepse do të jenë pluhur për këmbët tuaja atë ditë që po e bëj gati ‑ thotë Zoti i Ushtrive.”
Shtojcat
22 “Kujtojeni Ligjin e Moisiut,
shërbëtorit” tim,
të cilit i dhashë për mbarë Izraelin
në Horeb urdhërimet edhe ligjet.
23 Dhe ja, unë do t’ju dërgoj
profetin Eli
para se të vijë Dita e Zotit
e madhe edhe e tmerrshme.
24 Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë
e zemrat e bijve kah etërit e tyre,
që kur të vij, të mos e godas
vendin me mallkim!”