< Zak 14 Mal 2 >
Lexim prej librit të Malakise(Mal 1)
1

1 Profeci.

Fjala e Zotit drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë.

Dashuria e Zotit ndaj Izraelit

2 “Ju kam dashur ‑ thotë Zoti, e ju thuajeni: ‘Në çka na ke dashur?’ ‑ Pse a nuk ishte Ezau vëllai i Jakobit? ‑ thotë Zoti ‑ e unë e desha Jakobin

3 kurse Ezaun e kam urryer. Bjeshkët e tij i ktheva në shkretëtirë e trashëgimin e tij ua dhashë çakejve të shkretëtirës.

4 Nëse Edomi thotë: ‘Kemi qenë shpartalluar, por do të sillemi e do të rindërtojmë çka na ka qenë rrënuar’, atëherë Zoti i Ushtrive thotë kështu: Ata le të ndërtojnë e unë do të shkatërroj. Ata do të quhen: ‘Vendi i prapësisë’ dhe ‘Popull me të cilin është hidhëruar Zoti për amshim’.

5 Me sytë tuaj do ta shihni dhe do të thoni: ‘U madhërua Zoti edhe jashtë kufijve të Izraelit!’“

Paditje kundër priftërinjve

6 “Djali e nderon t’atin e shërbëtori zotërinë. Në qoftë se unë jam babë, ku është nderi im? Nëse unë jam Zotëria, ku është frika ime?, ju pyet Zoti i Ushtrive ju, o priftërinj, që e përbuzni Emrin tim? ‑ Por ju thoni: ‘Me çka e kemi përbuzur Emrin tënd?’ ‑

7 Kushtoni mbi lterin tim bukë të përdhosur, e pyetni: ‘Me çka të kemi përdhosur?’ ‑ Me atë që thoni: ‘Tryeza e Zotit është për t’u përbuzur!’

8 Kur ju sillni për fli bagëti të verbëra, a s’është kjo punë e keqe? E kur i sillni të shqepta e të sëmura, a nuk është kjo punë e keqe? Çoja një bagëti të tillë prijësit tënd e të shohim pale a do t’i pëlqejë dhe a do të të pranojë mirë ty?’ ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

9 E tani lutjuni Hyjit që të ketë mëshirë për ju! Sepse kështu bëni me duart tuaja! A thua do t’ju pranojë mirë?, pyet Zoti i Ushtrive!

10 Oh, sikur të gjendej dikush që i mbyll dyert që të mos digjet më kot lteri im! Jo, nuk jam i kënaqur me ju ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ një dhuratë të tillë s’do ta pranoj prej dorës suaj!

11 Prej ku lind dielli e deri ku perëndon i madhërueshëm është Emri im ndër popuj, e në çdo vend i digjet kem dhe i kushtohet fli e pastër Emrit tim, sepse është i madhërishëm Emri im ndër popuj ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

12 Ndërsa ju e përdhosni kur thoni: ‘Tryeza e Zotit është e përdhosur e i përbuzshëm ushqimi i saj.’

13 E shtoni: ‘Mundim i kotë!’, dhe e përbuzni ‑ thotë Zoti i Ushtrive. E sillni prej bagëtive të cubnuara, të shqepta, të liga dhe i bini si dhuratë flijimi! Vallë a do ta pranoj prej duarve tuaja?, thotë Zoti.

14 Qoftë mallkuar mashtruesi që ka në grigjë mashkull të cilin e ka kushtuar ta flijojë, e ia flijon Zotit një tjetër me të meta! Sepse unë jam Mbret i madh ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe!



Fjala e Zotit