< Lp 7 Lp 9 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 8)
8

1 “Çdo urdhër që po ta jap unë sot, kujdesu ta kryesh pikë për pikë, që të jetoni e të shumoheni, të hyni e ta merrni për pronë tokën që Zoti me përbetim ua ka premtuar etërve tuaj.

2 Të të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të mësonte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo.

3 Të mundoi me uri, por pastaj të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojes së Zotit.

4 Petkat e tua nuk janë shqyer në trupin tënd as këmba jote nuk është ënjtur gjatë këtyre dyzet vjetve,

5 e pranoje në shpirtin tënd se Zoti, Hyji yt, të edukoi ashtu si edukon njeriu fëmijën e vet.

6 Ai veprin kështu që t’i zbatosh urdhërimet e tija, të ecësh udhëve të tija e ta druash atë.”

7 “Zoti, Hyji yt, po të shpie drejt një vendi të bekuar: në një tokë përrenjsh e burimesh, në fushat e në bjeshkët e së cilës pëlcasin ujërat e gjalla;

8 në një tokë me grurë, elb e vreshta, ku rriten fiq, shega e ullinj, në një tokë me vaj e me mjaltë,

9 ku s’do ta hash bukën me masë pse do të kesh gjithçka me shumicë; në një tokë, gurët e së cilës kanë hekur e prej maleve të saja nxirret bronzi!

10 Do të hash e do të ngihesh dhe atëherë do ta bekosh Zotin, Hyjin tënd, për këtë tokë të mrekullueshme që të ka dhënë.

11 Vëri mendjen mirë vetes të mos e harrosh Zotin, Hyjin tënd, e t’i hedhësh pas shpine urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija që po t’i jap sot.

12 E kur të kesh ngrënë e të jesh ngopur, kur të kesh ndërtuar shtëpi të bukura për të banuar,

13 e te kesh shtuar bagëti të trasha e të imëta, e kur të kesh fituar argjend dhe ar dhe të gjitha të mirat e tjera me shumicë,

14 ruaj se të rritet mendja dhe e harron Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë;

15 që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti

16 e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu, e, pasi të përuli dhe të sprovoi, në fund pati dhimbje për ty për të të bërë të lumtur.

17 Pra, mos thuaj në zemrën tënde: ‘Me fuqinë time e me forcën e duarve të mia i kam fituar të gjitha këto!’,

18 por le të të bjerë ndër mend se qe Zoti, Hyji yt, që të dha fuqi për t’ia arritur mirëqenies. Ai bëri kështu për ta çuar në vend godin e vet, për të cilin iu përbetua etërve të tu, siç e vërteton dita e sotme.

19 Por, nëse ti do ta harrosh Zotin, Hyjin tënd, dhe do të shkosh pas hyjnive të huaja e nëse do t’u shërbësh atyre dhe do t’i adhurosh ato, ja, sot po ju betohem se do të shfaroseni me siguri.



Fjala e Zotit