< Lp 6 Lp 8 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 7)
7

1 “E kur Zoti, Hyji yt, të të ketë futur në tokën që do të hysh për ta pushtuar dhe kur të ketë dëbuar para teje kombe të shumta: hetenjtë, gergezenjtë, amorrenjtë, kananenjtë, ferisenjtë, hevenjtë e jebusenjtë, shtatë kombe shumë të mëdha në numër e më të forta se ti,

2 e t’i ketë dorëzuar ty Zoti, Hyji yt, goditi deri në shfarosje. Mos bëj marrëveshje me ta dhe mos ki mëshirë për ta.

3 Mos lidh me ta martesë: vajzë tënden mos u jep bijve të tyre, dhe vajzë të tyren mos e merr për djalin tënd,

4 sepse ajo do ta ngashnjejë djalin tënd të mos më ndjekë mua, por t’u shërbejë hyjnive të huaja, e atëherë do të ndizet flakë zemërimi i Zotit kundër jush dhe shpejt do të të qesë fare.

5 Por përkundrazi me ta veproni kështu: lterët e tyre rrënoni, copëtoni gurngulurit dhe trupat e shenjtë të tyre, lëndët e shenjta pritni e digjni idhujt.

6 Sepse ti je popull i kushtuar Zotit, Hyjit tënd; e njëmend, prej të gjithë popujve që janë përmbi tokë, Zoti, Hyji yt, ty të ka zgjedhur të jesh për të popull që veçanërisht i përket. « 

7 »Arsyeja që Zoti ju ka për zemër dhe ju ka zgjedhur, nuk është pse ju ua kaloni të gjithë popujve të tjerë për nga numri; jo, pasi ju jeni më të pakët se të gjithë popujt e tjerë:

8 Por pse Zoti ju do dhe pse e mban përbetimin që u bëri etërve tuaj. Kjo qe arsyeja që ju nxori me dorë të fuqishme dhe të shpëtoi prej shtëpisë së skllavërisë, prej dorës së faranit, mbretit të Egjiptit.

9 Prandaj, dije së Zoti, Hyji yt, është Hyj i vërtetë. Ai është Hyj besnik që e mban Besëlidhjen e vet dhe që i mëshiron ata që e duan dhe që i zbatojnë urdhërimet e tija në mijëra brezni.

10 E atyre që e urrejnë, ua kthen drejtpërsëdrejti mu atyre e s’do te vonojë më t’ua kthejë mu atyre atë që meritojnë: i bën të zhduken.

11 Ti, pra, ruaji urdhërimet e tija, ligjet dhe rregulloret, që unë po të urdhëroj sot t’i zbatosh.

12 Nëse ju do t’i dëgjoni këto urdhërime dhe do t’i vini në zbatim e do t’i mbani, edhe Zoti, Hyji yt, do ta ruajë Besëlidhjen e vet dhe mëshirën të cilën ua premtoi me përbetim etërve të tu.

13 Ai do të të duajë, do të të bekojë. Do të të shtojë. Do ta bekojë frytin e tokës sate: drithin tënd, verën tënde, vajin tënd, pjellën e gjedhit tënd, shtimin e deleve të tua përmbi tokë për të cilin iu përbetua etërve të tu se do të ta japë ty.

14 Do të jesh me i bekuar se të gjithë popujt. S’do të jetë beronjë as grua as burrë, as shterpë ndër bagëtitë tuaja.

15 Prej teje Zoti do të largojë çdo sëmundje. Mbi ty nuk do të çojë asnjë prej të këqijave të tmerrshme të Egjiptit që ti i di , por do t’ua çojë armiqve të tu.

16 Do t’i përpish të gjithë popujt që do të t’i lëshojë në dorë Zoti, Hyji yt. Mos ki mëshirë për ta dhe ruaj se u shërben hyjnive të tyre, sepse ajo gjë do të të rrënonte ty.”

17 “Nëse të shkon ndër mend të thuash: ‘Këta popuj janë më të shumtë së unë, si do të mund t’i pushtoj?’,

18 mos i druaj, por të të bjerë ndër mend se çfarë i bëri Zoti, Hyji yt, faraonit e mbarë egjiptianëve:

19 të vështirat e tmerrshme, që i panë sytë e tu, shenjat e mrekullitë, dora e fuqishme dhe krahu i shtrirë i Zotit, Hyjit tënd, kur të nxori nga Egjipti. Kështu do t’ua bëjë të gjithë popujve që tani i ke frikë.

20 Për më tepër Zoti, Hyji yt, do të dërgojë kundër tyre edhe grethat derisa të mos i zhbijë e t’i zhdukë edhe ata që do të mund të të ikin ty e të fshihen.

21 Mos i druaj, sepse Zoti, Hyji yt, është në mesin tënd, Hyj i madh e i tmerrshëm.

22 ai do t’i shuajë këto kombe para syve të tu pak nga pak e pjesë‑pjesë. Mos i shfaros ato menjëherë që të mos shumohen kundër teje egërsirat e pyllit.

23 Zoti, Hyji yt, do të t’i dorëzojë ty dhe do t’ua fusë frikën prej teje në palcë derisa të zhduket krejtësisht.

24 Në duar të tua do të dorëzohen mbretërit e tyre dhe do t’i zhdukësh emrat e tyre nën qiell: asnjë nuk do të mund të të qëndrojë ty përballë dhe të gjithëve do t’ua tretësh farën.

25 Digji në zjarr idhujt e tyre! Mos i lakmo arit e argjendit me të cilin janë të veshur: mos merr asgjë prej tyre për vete, që të mos ngashnjehesh prej tyre, sepse janë ndyrësi për Zotin, Hyjin tënd.



Fjala e Zotit