< Lp 33 Joz 1 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 34)
34

1 Pra Moisiu u ngjit nga stepat e Moabit në malin Nebo, në majën Fazga, përballë Jerikut. Dhe Zoti ia dëftoi mbarë tokën Galaad deri në Dan,

2 mbarë Neftaliun e tokën e Efraimit e të Manaseut, mbarë tokën e Judës deri te Deti i Perëndimit,

3 Nagebin, rrafshin e luginës së Jerikut, qytetet e palmave, deri në Segor.

4 Zoti i tha: “Kjo është toka për të cilën iu përbetova Abrahamit, Izakut e Jakobit e thashë: ‘Farës sate do t’ia jap.’

E pe me sytë e tu, por këmba jote s’do të kalojë në të.”

5 Moisiu, shërbëtori i Zotit, vdiq aty, në dheun e Moabit, me dashje të Zotit.

6 E varrosi në luginë, në tokën e Moabit përballë Betfegorit. Askush, deri në ditën e sotme, nuk mund ia diti varrin e tij.

7 Moisiu kishte njëqind e njëzet vjet kur vdiq. As s’iu errësua syri, as nuk e la forca.

8 Bijtë e Izraelit i bënë gjëmë për tridhjetë ditë. Atëherë morën fund ditët e vajtimit të Moisiut.

9 Jozuehu, biri i Nunit, ishte përplot me shpirtin e urtësisë, sepse Moisiu i pati vënë mbi kokë të tij duart e veta. Izraelitët e dëgjuan e vepruan ashtu sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

10 Askurrë më në Izrael nuk u ngrit një profet porsi Moisiu, ‑ atë Zoti e ka njohur faqe‑faqas ‑

11 për nga shenjat e mrekullitë që Zoti e kishte dërguar t’i kryente në Egjipt, kundër faraonit, zyrtarëve të tij dhe mbarë tokës së tij,

12 si dhe për dorë të fortë e për mrekulli të mëdha që i bëri Moisiu në sy të mbarë Izraelit.



Fjala e Zotit