< Lp 32 Lp 34 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 33)
33

1 Dhe ja bekimi, me të cilin Moisiu, njeriu i Hyjit, i bekoi bijtë e Izraelit para se vdiq.

2 Ai tha:

“Erdhi Zoti prej Sinait,

iu duk atyre prej Seirit,

u dëftua prej malit Faran

e mbërriti në Meribatkades

prej jugut të tij në Azedot.

3 Me të vërtetë i do Ai popujt;

të gjithë shenjtërit janë në dorë të tij

e kush të shkojë te këmbët e tija

e mëson fjalën e tij.

4 Moisiu neve një Ligj na dha,

pronë breznive t’tubimit t’Jakobit.

5 U bë mbret tek i dashuri i vet

pasi u mblodhën prijësit e popullit

njëkohësisht me fiset e Izraelit.

6 Le të jetojë Rubeni dhe mos u shoftë,

porse tepër mos u shtoftë!”

7 Ky është bekimi i Judës:

“Dëgjoji, o Zot, Judës zërin

e bashkoje me popullin e vet.

Duart e tija le të luftojnë për të,

mbroje, o Zot, prej armiqve të tij!”

8 E për Levin kështu foli:

“Jepi Levit Tumim‑in e Urim‑in tënd,

i përkasin njeriut të shuguruar.

Ti në Masë e ke sprovuar

me të u grinde te ujët e Meribës.

9 Ky babait e nënës i tha:

“Nuk ju njoh”;

vëllezërit s’i njohu,

s’deshi për të bijtë të dijë!

Këta e ruajtën fjalën tënde,

këta e mbajtën besëlidhjen tënde.

10 Jakobit do t’ia mësojnë urdhërimet e tua,

Ligjin tënd Izraelit.

Për hundë të tua kem do të djegin,

fli shkrumbimi mbi lterin tënd.

11 Bekoje, o Zot, forcën e tij,

pranoji veprat e duarve të tija.

Këputi në kryq armiqtë e tij,

urrejtësit e tij kokën të mos e ngrenë!”

12 Për Beniaminin tha:

“I dashur pa masë prej Zotit, Beniamin,

bano i qetë pranë Tij!

Zoti e mbron gjithmonë

e do të banojë nën krahët e tij.”

13 Edhe për Jozefin tha:

“Bekuar qoftë prej Zotit toka e tij:

me dhurata që sjell vesa e qiellit,

me dhurata që sjell uji i nëntokës;

14 me fryte që dielli sjell

me më të mirat fryte që sjell ndërrimi i hënës,

15 me më të mirat fryte të bjeshkëve të lashta,

me dhurata të brigjeve të amshueshme;

16 me ç’është më e mira nga toka e nga të gjitha

që ajo përmban.

Bekimi i Atij që u duk në kaçubë

rëntë mbi kokë të Jozefit,

mbi ballin e të shuguruarit ndër vëllezër.

17 Si e të parëlindurit të mëzatit, hijeshia e tij;

bri bualli brirët e tij:

me ta i ther e i hedh në erë popujt

deri në skajet e dheut!

Të tillë janë shumica e Efraimit,

të tilla janë mijërat e Manaseut!”

18 Për Zabulonin tha:

“Fatbardhë qofsh, Zabulon, në çetime,

e ti, o Isahar, brenda tendave të tua!

19 Do t’i ftojnë popujt në bjeshkë

ku do të kushtojnë fli të ligjshme;

sepse thithin pasuritë e detit

dhe visaret nën rërë të fshehura.”

20 Për Gadin tha:

“Lum ai që Gadin e zgjeron!

Pushon madhështor porsi luani

që ia ka shpulpuar krahun e thërrmuar kokën presë.

21 Për vete i zgjodhi frytet e para:

pjesë ajo që prijësit i takon.

Në krye të popullit ia doli të arrijë,

e çoi në vend drejtësinë e Zotit,

të tijat synime me Izraelin.”

22 Edhe për Danin tha:

“Zog luani është Dani

që kërcen majë më majë prej Basanit!”

23 Për Neftaliun tha:

“Neftaliu i ngopur me hire të Zotit,

plot do të jetë me bekimet e tija:

det e jug janë prona e tij!”

24 Po edhe për Aserin tha:

“Qoftë bekuar ndër bij Aseri!

Më i pëlqyeshmi ndër vëllezërit e vet!

Këmba e tij rëntë në vaj!

25 Hekuri e bronzi shulat e dyerve të tua,

sa të jesh gjallë mos të mungoftë siguria!”

26 “Paj nuk ka si Hyji Jezurun:

kalëron qiellin për të të ardhur në ndihmë,

i madhërishëm përmbi re!

27 Strehim është Hyji i amshueshëm

ndihmë këtu poshtë krah i përhershëm.

Para teje e dëbon armikun

e urdhëron: ‘Shpartalloje!’

28 Në paqe jeton Izraeli,

burimi i Jakobit në vetmi

në tokë drithi e vere

ku prej qielli rigon vesa.

29 I lumi ti, o Izrael!

Ku mund të gjendet një popull tjetër

që e shpëton Zoti prosi ty?!

Ai është shqyti që të mbron,

palla që të sjell lavdi.

Armiqtë me të mirë do të të marrin,

porse ti do t’i zotërosh.”



Fjala e Zotit