< Lp 30 Lp 32 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 31)
31

1 Moisiu erdhi e i drejtoi mbarë Izraelit këto fjalë.

2 Ai u tha:

“Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç. S’jam më i zoti të dal as të hyj e sidomos pasi edhe Zoti më ka thënë: ‘Ti s’do ta kalosh Jordanin!’

3 Vetë Zoti, Hyji yt, do të kalojë para teje. Ai do t’i asgjësojë këta popuj ndër sy të tu e ti do t’i trashëgosh. Ty do të të prijë Jozuehu siç ka urdhëruar Zoti.

4 Zoti do të bëjë me ta siç ua bëri Sehonit e Ogut, mbretërve të amorrenjve e tokës së tyre kur ua treti farën.

5 Kur t’jua dorëzojë, pra, bëni po ashtu siç ju kam urdhëruar.

6 Veproni trimërisht e kini guxim! Mos u trembni as të mos ju lëshojë zemra në praninë e tyre, sepse Zoti, Hyji yt, ai është prijësi yt; ai s’do të të lërë as s’do të heqë dorë prej teje.”

7 Moisiu e grishi Jozuehun dhe i tha në sy të mbarë Izraelit: “Ji burrë e ki guxim, sepse ti do ta shtiesh këtë popull në tokën për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tyre se do t’ua japë. Ti atë ndajua me short.

8 Vetë Zoti, që është prijësi yt, do të jetë me ty; ai s’do të të lëshojë as do të heqë dorë prej teje: mos u tremb as mos ki frikë!”

9 Moisiu e shkroi këtë Ligj dhe ua dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit dhe të gjithë krerëve të Izraelit.

10 Moisiu u dha këtë urdhër: “Ç’do të shtatin vit ‑ vitin e Pajtimit ‑ në të kremten e Tendave,

11 kur të mblidhet mbarë Izraeli që të bashkohet në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në atë vend që Zoti ta ketë zgjedhur, lexoje këtë Ligj në praninë e mbarë Izraelit, që ta dëgjojnë të gjithë.

12 Bashkoje popullin ‑ trim e grua, të vegjël e të huaj që janë brenda qyteteve të tua ‑ që të dëgjojnë e të mësojnë e ta druajnë Zotin, Hyjin tuaj, t’i mbajnë e t’i zbatojnë të gjitha fjalët e këtij Ligji.

13 Edhe bijtë e atyre që ende nuk i dinë tani, le të dëgjojnë e le të mësojnë ta druajnë Zotin, Hyjin tuaj, në të gjitha ditët që do të jetoni në tokën që, pasi ta kaloni Jordanin, do ta merrni në trashëgim.”

14 Atëherë Zoti i tha Moisiut:

“Ja, po afrohet dita e vdekjes sate. Thirre Jozuehun e qëndroni në Tendën e takimit që t’i jap urdhrat e mi.” Shkuan, pra, Moisiu e Jozuehu e zunë vend në Tendën e takimit.

15 Aty Zoti u dëftua në shtyllën e resë e cila zuri vend në hyrje të Tendës.

16 Zoti i tha Moisiut:

“Ja, ti do të flesh me etërit e tu e ky popull do të fillojë të lavirësojë duke u dhënë pas zotave të huaj të vendit, ku do të hyjnë. Atje do të më lërë mua dhe do ta zhbëjë besëlidhjen që lidha me të.

17 Atë ditë do të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij. Do t’i lë dhe do ta fsheh fytyrën time prej tyre. Do të sharrojë. Do ta mbulojnë të këqija të shumta e të vështira, saqë do të thotë: ‘Vërtet’, sepse Hyji nuk është me mua, më gjetën të gjitha këto të këqija.’

18 E unë atë ditë do ta fsheh e do ta mbuloj fytyrën time për shkak të të gjitha të këqijave që do të bëjë duke ndjekur hyjnitë e huaja.”

19 “Prandaj, shkruani për përdorimin tuaj këtë këngë. Mësoji bijtë e Izraelit le ta dinë përmendsh e ta këndojnë me zë, që kjo këngë të më jetë dëshmitare kundër izraelitëve.

20 Me të vërtetë, unë do ta shtie këtë popull në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, për të cilën iu përbetova etërve të tij. Porse, kur të ketë ngrënë e të jetë ngopur e të jetë majmur, ai do të kthehet kah zotat e huaj, atyre do t’u shërbejnë, mua do të më përbuzin dhe do të zhbëjnë besëlidhjen time.

21 Pasi ta gjejnë një mijë të këqija e të zeza, kjo këngë do t’i përgjigjet si dëshmitar kundër tij, sepse asgjë s’do ta shlyejë prej gojës së pasardhësve të tij. Sepse ia di mendimet që i ka edhe sot, para se ta shtie në tokën që i kam premtuar.”

22 Kështu, pra, Moisiu e shkroi atë ditë atë këngë dhe ua mësoi bijve të Izraelit.

23 Zoti i urdhëroi Jozuehut, birit të Nunit, e tha: “Ki zemër e merr guxim; sepse ti do ta shtiesh Izraelin në tokën që i kam premtuar. Unë do të jem me ty.”

24 Kur Moisiu e kreu së shkruari në libër këtë Ligj,

25 u urdhëroi levitëve që mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit:

26 “Merreni këtë libër të Ligjit dhe vendoseni në anë të Arkës së Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, që të jetë aty dëshmitar kundër teje.

27 Sepse e njoh natyrën tënde kryengritëse dhe zverkun tënd të trashë. Kurse edhe sa qeshë vetë gjallë me ju, gjithmonë i kundërshtuat Zotit, aq më tepër do t’i kundërshtoni pasi të kem vdekur unë!”

28 “Bashkoni tek unë të gjithë krerët e të gjitha fiseve dhe mbikëqyerësit tuaj që, pasi të m’i dëgjojnë të gjitha këto fjalë, ta thërras kundër tyre për dëshmitar qiellin e tokën.

29 Sepse e di se pas vdekjes sime do të veproni keq dhe do ta lini rrugën që jua urdhërova. Në të ardhmen do t’ju gjejnë të këqija, kur të bëni keq në praninë e Zotit, kur ta hidhëroni me veprat tuaja.”

30 Atëherë Moisiu, ku po e dëgjonin të gjithë izraelitët, i tha deri në mbarim të gjitha fjalët e kësaj kënge.



Fjala e Zotit