1 “Kur të vijnë mbi ty të gjitha këto gjëra, bekimi e mallkimi që sot po t’i shtroj përpara, nëse do t’i përbluash në zemrën tënde mes të gjithë popujve, ku do të të shpërndajë Zoti, Hyji yt,
2 e të kthehesh prej tij dhe t’i dëgjosh urdhërimet e tija, pikë për pikë të gjitha që unë sot po t’i urdhëroj, me bijtë e tu me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd,
3 atëherë Zoti, Hyji yt, do të ndryshojë fatin tënd, do të ketë mëshirë për ty, dhe përsëri do të të bashkojë prej të gjithë popujve nga të shpërndau më parë.
4 Po edhe nëse do të kesh qenë humbur deri në skajin e botës, edhe atje Zoti, Hyji yt, do të vijë të të marrë e do të të kthejë
5 dhe do të të shtjerë në tokën që e patën për pronë etërit e tu, dhe do ta marrësh. Do të të bëjë më të lumtur e më të shumtë se ç’qenë etërit e tu.
6 Zoti, Hyji yt, do ta rrethpresë zemrën tënde e zemrën e pasardhësve të tu, që ta duash Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd, me qëllim që të jetosh.
7 Zoti, Hyji yt, të gjitha këto mallkime do t’i hedhë mbi armiqtë e tu e mbi ata që të urrejnë e të përndjekin.
8 Kurse ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e Zotit dhe to t’i zbatosh të gjitha urdhërimet që unë sot po t’i urdhëroj.
9 Atëherë Zoti, Hyji yt, do të bëjë të kesh gjithçka me brusni në të gjitha veprat e duarve të tua: në frytin e kraharorit tënd, në pjellën e bagëtive të tua, në frytet e tokës sate, në mbushullinë e të gjitha të mirave. Atëherë Zoti përsëri do të gjejë kënaqje në ty me të gjitha të mirat siç u kënaq edhe në etërit e tu.
10 Me qyshke veç që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tija që janë të shkruara në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.
11 Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje;
12 nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’
13 As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’
14 Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!”
15 “Shiko! Unë sot po të lus ndër sy të tu me jetën e lumturinë po edhe mevdekjen e mjerimin.
16 Nëse do t’i dëgjosh urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd, që unë sot po t’i urdhëroj: ta duash Zotin, Hyjin tënd, të ecës urdhërimeve të tija, t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija, atëherë do të jetosh. Për më tepër, Zoti do të të shtojë e do të të bekojë në tokën që po hyn për ta trashëguar.
17 Por, nëse zemra jote shmanget e nuk do të dëgjosh dhe, i ngashënjyer nga gabimi, shkon e adhuron dhe u shërben zotave të tjerë,
18 unë sot po ju parakallëzoj: do të zhdukeni fare e do të vdisni në një kohë të shkurtër në tokën që, pasi ta keni kaluar Jordanin, do të hyni për ta trashëguar.
19 Thërras sot për dëshmitarë kundër jush qiellin e dheun: jua vura para jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin.
Zgjidhe, pra, jetën, që të jetosh ti e trashëgimtarët e tu,
20 e duaje Zotin, Hyjin tënd, dëgjo zërin e tij, qëndroji besnik ‑ sepse ai është jeta jote, gjatësia e ditëve të tua ‑ që të banosh në tokën për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit, se do t’ua japë.”