1 Moisiu bashkoi mbarë Izraelin dhe u tha:
“Ju patë vetë gjithçka u bëri Zoti në praninë tuaj në tokën e Egjiptit faraonit, nëpunësve të tij dhe mbarë vendit të tij:
2 provat e mëdha që i panë sytë e tu, shenjat e mrekullitë e mëdha.
3 Megjithatë, deri më sot, Zoti nuk ju dha mendje për të marrë vesh, sy për të parë e veshë për të dëgjuar.
4 Ju priva për dyzet vjet nëpër shkretëtirë. Nuk u shqyen petkat tuaja as s’u shtorën sandalet tuaja.
5 Bukë nuk hëngrët, verë as pije dehëse nuk pitë që ta dinit se unë jam Zoti, Hyji juaj.
6 Atëherë arritët në këtë vend. Rrugës na dolën para për të luftuar me ne Sehoni, mbreti i Hesebonit, dhe Ogu, mbreti i Basanit, e ne i shpartalluam.
7 E pushtuam tokën e tyre dhe ua dhamë për trashëgim Rubenit, Gadit e gjysmës së fisit të Manaseut.
8 Mbani, pra, fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe vini në zbatim që të dilni me faqe të bardhë në gjithçka të ndërmerrni.”
9 “Ju të gjithë po qëndroni sot para Zotit, Hyjit tuaj: krerët tuaj, fiset, pleqtë e mbikëqyrësit, çdo burrë izraelas,
10 fëmijët, gratë tuaja dhe ardhacaku yt që me ty banon në zemërimië, prej druprerësve deri tek ata që nxjerrin ujë për ty,
11 për të hyrë në besëlidhje të Zotit, Hyjit tënd, të përforcuar me përbetim, të cilën sot Zoti, Hyji yt, po e lidh me ty,
12 me qëllim që të të bëjë sot popull të vetin e që Ai të jetë Hyji yt, siç të ka thënë ty e siç u është përbetuar etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit.
13 E këtë bësëlidhje të përforcuar me përbetim nëmësjellës unë nuk po e lidh vetëm me ju,
14 por edhe me të gjithë të pranishmit këtu me ne para Zotit, Hyjit tonë, e me të gjithë ata që sot nuk janë këtu me ne.
15 Sepse e dini mirë se kemi jetuar në tokën e Egjiptit dhe se kaluam nëpër popuj, dhe duke i përshkuar ata,
16 i patë poshtërsitë dhe idhujt e tyre që i adhuronin: dru, gur, argjend e ar.
17 Të mos gjendet në mesin tuaj kurrsesi asnjë njeri, grua, familje, fis që ta ketë zemrën e tij sot të shkëputur prej Zotit, Hyjit tonë, e të shkojë t’u shërbejë zotave të atyre popujve; të mos gjendet kurrsesi ndër ju asnjë rrënjë që prodhon helm e pelin!
18
Askush, pasi t’i ketë dëgjuar fjalët e këtij përbetimi nëmësjellës, të mos llastohet në zemrën e vet e të thotë: ‘S’do të më mungojë asgjë edhe pse jetoj sipas mendjes sime. Le të shkojë e njoma nëpër të thatën!’
19 Zoti atë s’do ta falë! Madje, atëherë edhe më tepër do të turfëllojë zemërimi i tij e zilia kundër atij njeriu, mbi të do të bien të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër dhe Zoti do ta shlyejë emrin e tij për nën qiell!
20 Zoti do ta ndajë, për të keqen e tij, prej të gjitha fiseve të Izraelit, në përkim me të gjitha nëmët e besëlidhjes të shkruara në këtë libër të Ligjit.”
21 “Dhe, ja, ç’do të thotë breznia e ardhshme, fëmijët tuaj, që do të vijnë pas jush, dhe i huaji që do të vijë prej së largu, kur të shohin plagët e kësaj toke dhe sëmundjet me të cilat do ta ndëshkojë Zoti:
22 ‘Mbarë toka s’qenka tjetër veçse sulfur e kripë! Krejtësisht e djegur! S’paska pse të mbillet! Pa blerim! S’u rritka asnjë pemë porsi në Sodomë e në Gomorrë, si në Adamë e në Seboim, që Zoti në zemërimin e vet i rroposi!’
23 Mbarë popujt do të pyesin: ‘Përse Zoti ia bëri kështu këtij vendi? Përse u ndez flakë gjithë ky zemërim?’
24 Atëherë do të përgjigjen:’Sepse e prishën besëlidhjen e Zotit, Hyjit të etërve të tyre, që e lidhi me ta, kur i nxori nga toka e Egjiptit,
25 dhe u shërbyen hyjnive të huaja dhe i ardhuruan ato: ‑ hyjni që nuk i njihnin e që Zoti nuk ua kishte caktuar.
26 Prandaj u zbraz hidhërimi i Zotit mbi këtë vend dhe ia çoi të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër.
27 Zoti në hidhërimin e madh, në zemërim dhe me zemërim i shpërnguli prej vendit të tyre dhe i flaku në dhe të huaj, siç është edhe sot.’