1 Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i urdhëruan popullit me këto fjalë: “Mbani çdo urdhërim që unë po ju jap sot.
2 Kur ta kaloni Jordanin në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë ty, merr gurë të mëdhenj, dhe lyeji me gëlqere.
3 Në ta shkruaj të gjitha fjalët e këtij Ligji kur ta kesh kaluar Jordanin për të hyrë në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të ka thënë Zoti, Hyji i etërve të tu.
4 Kur ta kaloni, pra, Jordanin, atëherë këta gurë, sipas urdhrit që unë po ju jap sot, ndreqni në malin Hebal dhe lyeni me gëlqere.
5 Aty ndërtoje për nder të Zotit, Hyjit tënd, një lter gurësh të paprekur nga hekuri,
6 të palatuar dhe aty kushtoja Zotit, Hyjit tënd, flitë e shkurmbimit.
7 Kushto edhe fli paqeje, ha aty e gostitu në praninë e Zotit, Hyjit tënd.
8 Shkruaj mirë e qartë mbi gurë të gjitha fjalët e këtij Ligji.”
9 Moisiu dhe priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit:
“Dëgjo me vëmendje, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Hyjit tënd!
10 Dëgjoje zërin e tij dhe zbatoji urdhërimet e ligjet e tija, që unë sot po t’i urdhëroj.”
11 Atë ditë Moisiu i urdhëroi popullit e i tha:
12 “Këta le të qëndrojnë mbi malin Garizim pasi ta keni kaluar Jordanin për ta bekuar: Simoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Beniamini.
13 Dhe ja, këta le të qëndrojnë mbi malin Hebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Aseri, Zabuloni, Dani, dhe Neftaliu.
14 Kurse levitët, me zë të lartë, le t’u bëjnë këtë shpallje mbarë burrave të Izraelit:
15 ‘Mallkuar qoftë ai njeri që punon idhull të gdhendur ose metali të shkrirë ‑ gjë që i neveritet Zotit ‑ që s’është por vepër e dorës së mjeshtrit, qoftë edhe ta mbajë fshehur!
E mbarë populli le të përgjigjet e të thotë: ‘Amen!’
16 ‘Qoftë mallkuar ai që përbuz babain e nënën e vet!’
Mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
17 ‘Qoftë mallkuar ai që ia shtyn të afërmit kufirin!’
Mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
18 ‘Mallkuar qoftë ai që e bën të verbëtin ta humbasë rrugën!’
E mbarë populli le të përgjigjet: ‘Amen!’
19 ‘Qoftë mallkuar ai që i shkel të drejtën ardhacakut, bonjakut e vejushës!’
E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
20 Qoftë mallkuar kush fle me gruan e babait të vet, sepse zbulon mbulesën e shtrojës së tij!’
E mbarë populli le të thotë:’Amen!’
21 ‘Qoftë mallkuar kushdo fle me çfarëdo kafshe!’
E mbarë populli le të thotë:’Amen!’
22 ‘Qoftë mallkuar kush fle me motrën e vet, qoftë ajo bijë e babait, qoftë ajo bijë e nënës!’
E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
23 ‘Qoftë mallkuar kush fle me vjehrrën e vet!’
E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
24 ‘Qoftë mallkuar kush vret të afërmin e vet në moh!’
E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
25 ‘Qoftë mallkuar ai që për para vret gjakun e pafajshëm!’
E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’
26 ‘Qoftë mallkuar kush s’do t’i mbajë fjalët e këtij Ligji dhe ai që s’do t’i vërë në zbatim!’
E mbarë populli le të thotë:’Amen!’“