1 “Kur të hysh në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë për pronë, pasi ta kesh pushtuar e të kesh ngulur në të,
2 merri frytet e para të të gjitha prodhimeve të fushës që të kesh mbledhur prej tokës sate, që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, e qiti në kaçile dhe shko në vendin që Zoti, Hyji yt, ta ketë zgjedhur për të banuar emri i tij aty,
3 afroju priftit që do të jetë asohere në shërbim dhe thuaji:
‘Sot po bëj dëshmi para Zotit, Hyjit tënd, se kam hyrë në tokën, për të cilën u përbetua etërve tanë se do të na e japë.’
4 Atëherë prifti do ta marrë kaçilen prej dorës sate e do ta vërë para lterit të Zotit, Hyjit tënd.
5 Ti atëherë fol në praninë e Zotit, Hyjit tënd, e thuaj: ‘Im atë ishtë një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë.
6 Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë.
7 Atëherë ne lëshuam britmë drejtë Zotit, Hyjit të etërve tanë. Ai na dëgjoi; e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona
8 dhe na nxori Zoti prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme e krahun e tendur, me tmerr të madh e me shenja e me mrekulli,
9 na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë.
10 Dhe, ja, tani, o Zot, i solla frytet e para të tokës që ti ma dhe.’
Atëherë vëri para Zotit, Hyjit tënd, dhe adhuroje Zotin, Hyjin tënd.
11 Gostituni me të gjitha të mirat që Zoti, Hyji yt, t’i ka dhënë ty e familjes sate, ti, leviti dhe i ardhuri që është me ty.”
12 “Kur të kesh kryer së ndari të gjitha të dhjetat e mbarë prodhimeve të tua, ‑ vitin e tretë ‑ vitin e të dhjetave ‑ dhe brenda dyerve të tua t’u kesh dhënë të hanë e të ngopen leviti, ardhacaku, bonjaku e vejusha, atëherë, para Zotit, Hyjit tënd,
13 thuaj:
‘Çka ishte e shugurur e kam hequr prej shtëpisë sime. I kam dhënë levitit, ardhacakut, jetimit e vejushës po ashtu si më ke urdhëruar ti. Nuk i shkela urdhrat e tu dhe nuk i kam harruar urdhërimet e tua.
14 Nuk kam ngrënë asgjë kur isha në e zi, nuk kam ndarë asgjë prej tyre kur isha i papastër, dhe nuk dhashë asgjë prej tyre për të vdekur. E kam dëgjuar zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe bëra gjithçka si më ke urdhëruar ti.
15 Priri sytë e tu drejt banesës sate të shenjtë, prej qiellit, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, dhe tokën që na e dhe siç iu përbetove etërve tanë, tokën që rrjedh qumsht e mjaltë.”
16 “Sot Zoti, Hyji yt, po të urdhëron t’i kryesh të gjitha këto urdhërime e rregullore, t’i mbash e t’i zbatosh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.
17 Ti sot e zgjodhe Zotin që të jetë Hyji yt dhe se ti do të ecësh udhëve të tija, se do t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija dhe se do ta zbatosh urdhrin e tij.
18 Po edhe Zoti të zgjodhi ty sot që të jesh populli i tij i veçuar, siç të ka premtuar, dhe që do t’i mbash të gjitha urdhërimet e tija.
19 Ai do të të lartësojë përmbi të gjithë popujt që i ka krijuar për lavdinë, emrin dhe nderin e vet, që të jesh populli i shenjtë i Zotit, Hyjit tënd, mu ashtu siç të ka thënë Ai vetë.”