< Lp 24 Lp 26 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 25)
25

1 Kur të ketë ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet disave dhe çështjen ta kenë qitur para gjykatësve, le t’i japin të drejtë atij që shohin se ka të drejtë, kurse fajtorin le ta dënojnë.

2 Nëse gjykatësi mendon se ai që mëkatoi meriton të ndëshkohet, le ta shtrijë përtokë e le të urdhërojë të rrahet me thupër para syve të tij; rrahja të jetë sipas masës së fajit.

3 Porse, të mos kalohet numri dyzet rëniesh, në mënyrë që, vëllai yt të mos largohet i rrahur më shumë, me plagë të mëdha dhe i copëtuar keqas para syve të tu.

4 Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë drithërat e tua.”

5 “Kur vëllezërit banojnë së bashku dhe njëri prej tyre vdes e nuk lë fëmijë, gruaja e të vdekurit të mos martohet me një tjetër jashtë shtëpisë, por le ta marrë për grua vëllai i të vdekurit që të mos i shuhet fara vëllait të vet.

6 Kështu i parëlinduri djalë që len prej saj, le të njihet djalë i të vdekurit që të mos i shuhet emri në Izrael.

7 Por, nëse vëllai nuk do ta marrë gruan e vëllait, le të shkojë gruaja te dera e qytetit, t’ua shtrojë çështjen pleqve e të thotë: ‘Vëllai i tim shoq nuk do ta ngjallë emrin e vëllait të vet në Izrael, as të më marrë mua në martesë.’

8 Pleqtë le ta thërrasin e le ta pyesin aty për aty. Nëse përgjigjet: ‘Nuk dua ta marr për grua’,

9 gruaja le t’i afrohet, le t’ia heqë të mbathurën prej këmbës, le ta pështyjë në fytyrë e le të thotë: ‘Kështu i bëhet njeriut që nuk e ndërton shtëpinë e vëllait të vet’.

10 I tilli në Izrael le të quhet: ‘Familje këmbëzbathuri’.”

11 “Nëse zihen e rrahen dy vetë e njëri i bie tjetrit, e gruaja e këtij për ta shpëtuar burrin prej atij që është më i fortë, shtrin dorën dhe e kap tjetrin për vete:

12 preja dorën dhe mos ki kurrfarë mëshire për të!”

13 “Mos mbaj në strajcën tënde peshore të ndryshme: më të madhe e më të vogël,

14 dhe mos ki në shtëpinë tënde ef më të madh e ef më të vogël.

15 Peshoren kije të përpiktë e të vërtetë. Po ashtu edhe efin kije të përpiktë e të vërtetë, që të jetosh shumë përmbi tokën që Zoti, Hyji yt, ka për të ta dhenë.

16 Me të vërtetë Zotit tënd i velet ai njeri që bën këso punësh dhe Ai e kundërshton çdo padrejtësi.

17 Mos harro çfarë të bëri Amaleku kur ishe në udhëtim ndërsa po dilje prej Egjiptit,

18 sesi të ndeshi në udhëtim e i vrau në prapavijën tënde të gjithë ata që, të lodhur e të mbetur, ishin ulur të merrnin frymë, kur ti ishe i këputur prej urie e mundimi. Ai nuk e pati frikë Perëndinë.

19 Prandaj, kur Zoti, Hyji yt, ka për të të dhënë pushim prej të gjithë armiqve të tu që të rrethojnë, në tokën që Zoti ka për ta dhënë pronë, zhduke emrin e Amalekut nën kupën e qiellit. Ruaj se e qet në harresë!”



Fjala e Zotit