1 Kur ta shohësh kaun ose delen e humbur të vëllait tënd, mos kalo, por çoja vëllait tënd.
2 E nëse vëllai yt nuk është afër, ose nuk e njeh, çoje në shtëpinë tënde derisa t’i kërkojë vëllai yt e t’i marrë.
3 Po kështu vepro edhe me gomarin, me petkun e me çfarëdo gjëje që t’i ketë humbur vëllait tënd: nëse i gjen, mos bëj sikur s’i pashë.
4 Nëse sheh se është rrëzuar gomari ose kau i vëllait tënd në rrugë, mos u shmang, por ngrije bashkë me të.
5 Gruaja të mos vishet me petka burrash as burri të mos i përdorë të vëshmet e grave: sepse kushdo bën kështu i velet Zotit, Hyjit tënd.
6 Nëse, duke bërë rrugë, në një dru ose në tokë gjen një çerdhe të ndonjë shpendi dhe nënën duke ndenjur mbi zogj ose mbi vezë, mos ua merr zogjve nënën,
7 por lëre nënën të shkojë e merri zogjtë. Kështu do të jesh fatmirë e jetëgjatë.
8 Kur të ndërtosh shtëpi të re, bëji mur përreth tarracës që e mbulon dhe kështu nuk do të biesh në gjak nëse ndokush thyen qafën prej saj.
9 Mos mbill tjetër gjë në vreshtin tënd që të mos shugurohet njëherësh e çka mbolle e fryti i vreshtit.
10 Mos lëvro me një ka e me një gomar së bashku.
11 Mos vish petk të punuar me lesh e me li përzier.
12 Bëji thekë në katër këndet petkut me të cilin mbulohesh.”
13 “Kur ndokush martohet dhe bashkëjeton me gruan, por pastaj e urren,
14 i shpifet për punë të liga e ia merr nderin duke thënë: ‘Unë e mora këtë për grua, por kur iu afrova nuk e gjeta të virgjër’,
15 atëherë i ati dhe e ëma e vajzës le t’i marrin e le t’i çojnë me vete shenjat e virgjërisë së vajzës te pleqtë e qytetit, te dera.
16 I ati le të thotë:’ Këtij burri ia dhashë bijën time për grua. Ky, pasi e urren,
17 ia qiti zërin e keq saqë thotë: ‘Nuk e gjeta vajzën tënde të virgjër’; e pra, ja shenjat e virgjërisë së vajzës sime’. Atëherë le ta shtrijnë petkun para pleqve të qytetit.
18 Atëherë pleqtë e qytetit le ta marrin burrin e saj dhe le ta rrahin
19 e për më tepër le ta dënojnë me njëqind sikla të argjendtë, të cilët do t’ia japin babait të vajzës, sepse u përhap një zë tejet i keq për një virgjëreshë të Izraelit dhe i duhet ta marrë për grua dhe nuk do të mund ta lëshojë përjetë.
20 Por nëse është e vërtetë ç’thotë ai, nëse vajza vërtet nuk u gjete e virgjër,
21 le ta qesin te dera e babait të saj dhe burrat e atij qyteti le ta vrasin me gurë dhe le të vdesë, sepse bëri poshtërsi në Izrael: fëlligështoi në shtëpinë e t’et. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.”
22 “Nëse gjendet ndonjë njeri që fle me gruan e tjetërkujt, le të vriten të dy, burri dhe gruaja. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen nga Izraeli.
23 Nëse një vajzë të virgjër, të fejuar për burrë, e gjen ndokush në qytet dhe fle me të,
24 çoni të dy te dera e atij qyteti dhe vritni me gurë derisa të vdesin: vajzën, sepse nuk lëshoi kushtrimin, pasi ishte në qytet, trimin, sepse e dhunoi gruan e të afërmit të vet, Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.
25 Por, nëse trimi e gjen në fushë vajzën e fejuar, e kap dhe e dhunon, ai le të vritet vetëm;
26 vajzës mos i bëj asnjë të keqe, s’është fajtore për vdekje, sepse, sikur kur dikush çohet kundër vëllait të vet dhe e vret, po kështu pësoi edhe ajo vajzë:
27 ishte vetëm në fushë, kishte bërtitur vajza e fejuar, por s’qëlloi askush që t’i ndihmonte.
28 Nëse një njeri gjen një vajzë të virgjër të pafejuar, e kap dhe mëkaton me të, dhe çështja del para gjykatësve,
29 ai që ka fjetur me të, le t’i japë t’et të vajzës pesëdhjetë sikla të argjendtë e le ta marrë për grua, sepse ai e ka dhunuar: nuk ka mundësi ta lëshojë për sa të jetë gjallë.