< Lp 20 Lp 22 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 21)
21

1 “Kur të gjendet në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë për pronë, kufoma e njeriut të vrarë ‑ e nuk dihet se kush do ta ketë vrarë ‑

2 le të dalin pleqtë e gjykatësit e tu dhe le ta masin prej vendit të kufomës largësinë e secilit qytet përreth,

3 dhe, kur ta gjejnë se cilin qytet e ka më afër i vrari, pleqtë e atij qyteti le ta marrin një mëshqerrë që nuk është mbrehur në zgjedhë e nuk e çau tokën me pallë,

4 dhe le ta çojnë te një përrua i përhershëm, në një vend ku kurrë nuk është lëruar as mbjellë dhe aty le t’i presin qafën mëshqerrës.

5 Atëherë le të afrohen priftërinjtë, bijtë e Levit, të cilët Zoti, Hyji yt, i ka zgjedhur t’i shërbesojnë dhe të bekojnë në emër të tij dhe fjala e tyre i jep fund çdo çështjeje e ngatërrese.

6 Të gjithë pleqtë e qytetit që e ka më afër i vrari, le t’i lajnë duart përmbi mëshqerrën e prerë përbri përroit

7 e le të thonë: ‘Duart tona nuk e derdhën këtë gjak as sytë tanë nuk e panë.

8 Fale popullin tënd që e shpërbleve, o Zot, e mos kërko gjak të pafajshëm në mes të popullit tënd, Izraelit.’ Kështu ata do të jenë të lirë nga gjakmarrja.

9 Kurse ti do ta mënjanosh derdhjen e gjakut të pafajshëm, nëse do të bësh atë që është e drejtë në sytë e Zotit.”

10 “Kur të kesh dalë për të luftuar armiqtë e tu dhe Zoti, Hyji yt, t’i lëshon në duar të tua t’i zësh robër

11 dhe në numrin e të zënëve rob sheh ndonjë grua të bukur që të pëlqen dhe dëshiron ta marrësh për grua,

12 merre e çoje në shtëpinë tënde. Ajo le t’i rruajë flokët e le t’i presë thonjtë.

13 Le ta heqë petkun e skllavërisë dhe për një muaj le të qëndrojë në shtëpinë tënde e le t’i qajë babain e nënën e vet. Atëherë afroju asaj si burrë e le të bëhet gruaja jote.

14 Por, nëse më vonë nuk të pëlqen më, lëshoje të lirë: nuk ke të drejtë ta shesësh me para ose të sillesh me të si me një skllave, sepse e ke pasur grua.”

15 “Nëse një njeri ka dy gra e njëra i pëlqen e tjetra nuk i pëlqen, dhe të dyja i lindin fëmijë; por i parëlinduri është i asaj që nuk i pëlqen,

16 dhe nëse do t’ua ndajë pasurinë fëmijëve, nuk guxon ta bëjë të parëlindur birin e asaj që i pëlqen e ta parapëlqejë në vend të birit të asaj që nuk i pëlqen,

17 por le ta pranojë për të parëlindur djalin e asaj që nuk i pëlqen dhe le t’i japë dyfishin e gjithë pasurisë që ka, sepse ky është fryti i parë i fuqisë së tij, këtij i përkasin të drejtat e parëlindësisë.”

18 “Nëse ndokujt i lind ndonjë djalë kryekëcyer e i pabindshëm, që nuk merr vesh as për babë as për nënë dhe ‑ i qortuar përbuz të dëgjojë ‑

19 le ta marrin e le ta çojnë te pleqtë e qytetit të vet, në vendin e gjyqit

20 dhe le t’u thonë:’ Ky, djali ynë, është i padëgjueshëm dhe kryekëcyer: qortimet tona i përbuz, është i shfrenuar në qejfe e në fëlligështi dhe pijanec.’

21 Le ta vrasin me gurë burrat e qytetit e le të vdesë. Le të zhduket e keqja prej mesit tuaj, le ta dëgjojë mbarë Izraeli e le të trembet.”

22 “Kur ndokush bën ndonjë mëkat për të cilin meriton dënimin me vdekje dhe vritet me varje në dru,

23 le të mos lihet kufoma e tij në dru, por po atë ditë le të varroset, sepse i varuri është mallkim i Zotit. Mos e bëj të papastër tokën që Zoti, Hyji yt, ka për të ta dhënë për pronë.



Fjala e Zotit