< Lp 19 Lp 21 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 20)
20

1 “Kur të dalësh në luftë kundër armiqve të tu e të shohësh kalorësi, karroca e shumicë më të madhe ushtrie të armikut se sa është jotja, mos ua ki frikën, sepse Zoti, Hyji yt, që të ka nxjerrë nga Egjipti, është me ty!

2 Kur të jetë koha të fillojë luftimi, le të dalë prifti para aradheve dhe kështu le t’i flasë popullit:

3 ‘Dëgjo, Izrael! Ju sot po filloni luftën kundër armiqve tuaj. Të mos ju liget guximi juaj! Mos u trembni! Mos u tërhiqni, mos ua kini frikën!

4 Paj, vetë Zoti, Hyji juaj, do të vijë me ju dhe për ju do të luftojë kundër armiqve tuaj për t’ju shpëtuar nga rreziku.’

5

Po edhe mbikëqyrësit nëpër çdo njësi le t’i shpallin ushtrisë:   
‘A është këtu ndokush që ka ndërtuar shtëpi të re dhe nuk ka hyrë ende në të? Le të kthehet në shtëpinë e vet që rastësisht të mos humbasë në luftë e të hyjë një tjetër në të!

6 A është këtu ndonjë njeri që e ka mbjellë vreshtin dhe nuk e ka vjelë ende? Le të kthehet në shtëpinë e vet që rastësisht të mos vdesë në luftë e ta vjelë një tjetër!

7 A është këtu ndokush që është fejuar dhe nusen nuk e ka marrë ende? Të niset e të shkojë në shtëpinë e vet që rastësisht të mos vdesë në luftë e atë ta marrë një tjetër!’

8 Mbikëqyrësit, pasi t’i kenë thënë këto, le t’i thonë popullit: ‘A është këtu ndonjë njeri frikacak e zemërlig? Të niset e të çajë në shtëpi të vet që të mos i ligështojë zemrat e vëllezërve të vet, siç e ka kap;uar frika atë!’

9  Pasi mikëqyrësit t’i kenë dhënë fund bisedës së vet drejtuar popullit, le të vihen prijësit ushtarakë në krye të popullit. «

10  »Kur t’i jesh afruar ndonjë qyteti për ta sulmuar, më së pari lute për paqe.

11 Nëse të dëgjon dhe t’i hapë dyert, të gjithë popullin që gjendet brenda, vëre nënangari, le të punojë për ty.

12 Por nëse nuk duan të lidhin paqe me ty dhe fillojnë luftën me ty, sulmoje.

13 Kur të ta ketë lëshuar në dorë Zoti, Hyji yt, preje me shpatë gjithcilin mashkull që është në të,

14 me përjashtim të grave e të foshnjave, të bagëtive e të gjërave të tjera që janë në qytet. Mbarë prenë merre për vete dhe ushqehu me prenë e armiqve që do të ta japë Zoti, Hyji yt.

15 Kështu vepro edhe me të gjitha qytetet që janë shumë larg prej teje e nuk janë prej qyteteve të këtyre popujve, që do t’i marrësh në trashëgim.

16 Prej këtyre qyteteve që do të të jepen ty, mos lër gjallë asnjë për be,

17 por preji me teh të shpatës: heteun, amorreun, kananeun , ferezeun, heveun e jebuseun ashtu siç të ka urdhëruar Zoti, Hyji yt,

18 që të mos ju mësojnë ndoshta të bëni të gjitha ato poshtërsi që ua bënë ata hyjnive të tyre e të mëkatoni kundër Zotit, Hyjit tuaj.

19 Kur t’i bësh rrethim ndonjë qyteti për një kohë të gjatë e ta rrethosh me vegla sulmi për ta pushtuar, mos e përdor sakicën për t’i prerë pemët e tija, prej të cilave mund të ushqehesh. Pse, a është njeri pema që ta sulmosh?

20 Por pemët që s’janë frutore, preji dhe prej tyre puno vegla lufte derisa ta pushtosh qytetin që lufton kundër teje.”



Fjala e Zotit