1 “Kur Zoti, Hyji yt, t’i ketë asgjësuar popujt, tokën e të cilëve do të ta japë për pronë, e kur ta kesh marrë atë për pronë e të banosh në qytetet e në shtëpitë e saja,
2 në atë tokë që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, ndaji tri qytete.
3 Ndreqi udhët dhe tokën ndaje në tri pjesë të barabarta, që të ketë sa më afër ku të strehohet ai që ikën për shkak të vrasjes.
4 Dhe, ja, rasti në të cilin vrastari mund të strehohet për të shpëtuar jetën: kur ndokush vret pa dashje të afërmin e vet, me të cilin më parë mund të vërtetohet se nuk ka pasur kurrfarë të keqeje,
5 por kishte shkuar me të thjesht për të prerë dru në pyll, dhe, ndërsa po priste dru, i shpëton prej dore sakica dhe hekuri del prej bishtit e i bie mikut të tij dhe e vret, i tilli le të strehohet në njërin ndër këto qytete e le ta shpëtojë jetën.
6 Se përndryshe, gjakma‑ rrësi, i shtyrë prej zemrës së frytë, e ndjek dhe e zë, nëse rruga është e gjatë, e godet e vdes ai që nuk e meritonte, sepse më parë nuk e urrente të afërmin.
7 Prandaj edhe po të urdhëroj: ndaji tri qytete me të njëjtën largësi prej njëri ‑ tjetrit!
8 E kur Zoti, Hyji yt, t’i ketë zgjeruar kufijtë e tu, siç iu përbetua etërve të tu e ta ketë dhënë tërë tokën që ua premtoi atyre ‑
9 nëse do t’i mbash dhe do t’i zbatosh të gjitha këto urdhërime që unë po t’i jap, nëse do ta duash Zotin, Hyjin tënd, e nëse do të ecësh vazhdimisht udhëve të tija ‑ shto edhe tri qytete të tjera ‑ dyfisho numrin e këtyre tri qyteteve të përmendura ‑
10 që të mos derdhet gjaku i pafajshëm në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë për pronë, që ti të mos jesh fajtor për gjakun e derdhur.
11 Por, ai që e urren të afërmin e vet, i vë pritë, e sulmon, e godet dhe ky vdes; nëse strehohet në njërin ndër këto qytete të përmendura,
12 atëherë krerët e atij qyteti le të çojnë njerëz që ta kapin, le t’ia dorëzojnë nga vendi i strehimit të zotit të gjakut, dhe ai le ta vrasë:
13 Mos ki mëshirë për të tillin! Kështu do ta heqësh prej Izraelit derdhjen e gjakut të pafajshëm e do të jesh i lumtur.”
14 “Ruaj se i luan kufijtë e të afërmit tënd që kanë qenë vënë prej të parëve në pronën tënde që do ta marrësh në tokën që do të ta japë Zoti, Hyji yt, në trashëgim.”
15 “Është krejtësisht pa vlerë dëshmimi i një dëshmitari të vetëm kundër kujtdo, çfarëdo faji ose delikti të ketë bërë ky; çështja duhet të vendoset me fjalën e dy ose tre dëshmitarëve.
16 Nëse paraqitet ndonjë dëshmitar i rrejshëm kundër ndokujt dhe e padit për kryengritje,
17 le të paraqiten të dy ata që janë në çështje para Zotit në praninë e prifërinjve e të gjykatësve që do të jenë në shërbim në atë kohë.
18 Dhe gjykatësit, pasi ta kenë shqyrtuar me ma të madhin kujdes e ta kenë gjetur se dëshmitari i rremë ka thënë një gënjeshtër kundër vëllait të vet,
19 le t’ia bëjnë atij siç mendoi ai t’ia bëjë vëllait të vet. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.
20 Të tjerët, kur të dëgjojnë për këtë, do të tremben dhe më nuk do të kenë guxim assesi të bëjnë punë të tilla.