1 “Priftërinjtë levitë ‑ mbarë fisi i Levit ‑ të mos kenë trashëgim as pronë me izraelitët e tjerë. Le të jetojnë prej flive të Zotit e prej trashëgimit të tij.
2 Nuk do të kenë trashëgim në mes të vëllezërve të vet: vetë Zoti është trashëgimi i tyre, sikurse edhe u ka thënë.
3 Kjo është e drejta e priftërinjve prej popullit e prej atyre që kushtojnë fli: si në flijofshin bagëti të trashë ashtu edhe të imët, priftit le t’i japin shpatullën, dy fulqinjtë dhe mullëzën,
4 frytin e parë të drithit tënd, të verës, të vajit, të qethjes së deleve të tua.
5 Sepse atë e zgjodhi Zoti, Hyji yt, prej të gjitha fiseve të tua, që të qëndrojë e të shërbejë në emër të Zotit, ai dhe bijtë e tij përgjithmonë.
6 Nëse ndonjë levit dëshiron me gjithë shpirt të dalë prej cilitdo qytet në Izrael ku ai banon, e dëshiron të shkojë në vendin që Zoti ta ketë zgjedhur,
7 mund ta kryejë shërbesën aty në emër të Zotit, Hyjit të vet, si të gjithë vëllezërit e tij levitë që banojnë aty në praninë e Zotit.
8 Le të marrë të njëjtën sasi për ushqim siç e marrin të tjerët, vëllezërit e tij, pa marrë parasysh sa i ka takuar prej shitjes së pasurisë së babait.”
9 “Kur të kesh hyrë në tokën që Zoti, Hyji yt, mendon të ta japë, ruhu e mos të pëlqejnë punët e poshtra të atyre popujve.
10 As të mos gjendet ndokush ndër ju që ta bëjë të kalojë djali ose vajza e tij nëpër zjarr, që të merret me shorti, me shqyrtim resh, me këqyrje shpatullash, që të bëjë magji,
11 që të shitojë, që të thërrasë shpirtrat e të vdekurve, ose xhindet, ose të kërkojë të vërtetën prej të vdekurve;
12 sepse të gjitha këto i urren Zoti dhe për shkak të këtyre paudhësive Zoti ata do t’i dëbojë para teje.
13 Ji i përsosur dhe i patëmetë me Zotin, Hyjin tënd.
14 Popujt, tokën e të cilëve do ta bësh pronë, i dëgjojnë shortarët e falltarët. Kurse ti ke qenë mësuar ndryshe prej Zotit, Hyjit tënd.
15 Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjoje!
16 Mu ashtu siç kërkove prej Zotit, Hyjit tënd, në malin Horeb, kur qe bërë tubimi i përgjithshëm e kur the: ‘Nuk dua më ta dëgjoj zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.’
17 Atëherë Zoti më tha: ‘Folën krejtësisht me vend.
18 Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij.
19 Ai që s’ka për t’i dëgjuar fjalët e mia që ai do t’i flasë në emrin tim, atë do ta ndëshkoj.
20 Kurse profeti që do të kishte guximin të fliste, i tradhtuar prej pacipjes, në emrin tim, çka unë nuk i urdhërova të flasë, ose flet në emër të hyjnive të huaja, le të vritet.’
21 Ndoshta do të të shkojë nëpër mend të thuash vet me vete:’ Si do të mund ta dalloj fjalën që nuk e ka thënë Zoti?’;
22 ja shenja: çkado që parakallëzoi profeti në emër të Zotit, e ajo nuk ndodhi, këtë nuk e ka thënë Zoti; e ka thënë profeti prej mendjes së vet me mendjemadhësi. S’ke pse të kesh frikë prej tij.”