1 “Jini për Zotin, Hyjin tuaj, bij! Mos u gërvishtni për të vdekur as mos e rruani kokën permbi sy.
2 Sepse ti je një popull që i je kushtuar Zotit, Hyjit tënd dhe Zoti të ka zgjedhur të jesh populli i tij i veçantë në mes të gjithë popujve që janë përmbi tokë.”
3 “Mos hani asgjë që është e papastër!
4 Këto janë kafshët që mund t’i hani:
kau, delja e dhia,
5 kaprolli, suta, dreri, dhia e egër, antilopa, bualli, dhia e shkëmbinjve.
6 Çdo bagëti ndër kafshët që e kanë thundrën e ndarë në dy pjesë plotësisht dhe ripërtypet, hajeni.
7 Nuk bën t’i hani ato që, njëmend përtypen, por nuk e kanë thundrën të ndarë, siç janë: deveja, lepuri, gjeri, sepse përtypen, por nuk e kanë thundrën të ndarë: le të jenë të papastra për ju.
8 Edhu thiu, megjithëse e ka thundrën të ndarë, por nuk ripërtypet, le të jetë për ju i papastër: mos ua hani mishin as mos ua prekni kufomat.
9 Prej të gjitha kafshëve që jetojnë në ujë, mund të hani këto: të gjitha ato që kanë fletëza dhe pare.
10 Ato që s’kanë fletëza dhe pare, mos i hani, sepse janë të papastra për ju.
11 Hani të gjithë shpendët e pastër,
12 por këto mos i hani: shqiponjën, shqiponjën kërmë‑ ngrënëse, shqiponjën e detit,
13 skifterin dhe çdo lloj sokoli,
14 çdo lloj korbash,
15 strucin, kukuvajkën e gjelarojën dhe çdo lloj petriti,
16 hutinin, zhytrën, ibisin,
17 mjellmën, peli‑ kanin, shqiponjën qafëshogët,
18 lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzën dhe lakuriqin,
19 Edhe çdo zvarranik që ka krahë, le të jetë i papastër për ju, dhe mos e hani.
20 Çdo shpend që është i pastër, hajeni.
21 Mos hani asnjë bagëti të cofur vetiu. Jepja ta hajë i ardhuri që banon ndër qytetet tuaja ose shitja shtegtarit: sepse ti je popull i shuguruar prej Zotit, Hyjit tënd.
Mos e ziej kecin në qumështin e s’ëmës.”
22 “Ndaj çdo vit të dhjetën e të gjitha prodhimeve të të mjellave të tua që të dalin nga toka.
23 Haje në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në vendin që ta ketë zgjedhur për të banuar emri i tij, të dhjetën e drithit, të verës e të vajit tënd, të parëlindurit e bagëtive të tua të trash e të imëta, që kështu të mësosh ta druash Zotin, Hyjin tënd, në çdo kohë.
24 Por kur rruga është e largët për ty dhe nuk do të mundt’i sjellësh të gjitha këto, sepse vendi që Zoti, Hyji yt, e ka zgjedhur për të banuar emri i tij, është tepër larg, e Zoti të t’i ketë bekuar,
25 atëherë shiti të gjitha dhe çmimin e tyre merre me vete e shko në vendin që Zoti, Hyji yt, e ka zgjedhur,
26 e me ato para bli çka të pëlqen ty, qoftë bagëti të trashë ose të imët, verë ose musht ose çfarë të të deshirojë zemra; dhe ha aty në praninë e Zotit, Hyjit tënd, dhe gostitu me familjen tënde.
27 Le të hajë edhe leviti që është prej qytetit tënd: ruaju se e harron atë, sepse ai s’ka pjesë as pronë me ty.”
28 “Në mbarim të çdo të tretit vit ndaj të dhjetën e të gjitha prodhimeve të atij viti dhe vëre te dera e qytetit tënd.
29 Atëherë le të vijë leviti që nuk ka pjesë as pronë me ty, i huaji, jetimi dhe e veja, që jetojnë brenda qytetit tënd, le t’i hanë dhe le të ngihen, që të të bekojë Zoti, Hyji yt, në të gjitha veprimet e tua.”