< Lp 11 Lp 13 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 12)
12

1

 “Këto janë ligjet e rregullat, që duhet t’i zbatoni në tokën që Zoti, Hyji i etërve të tu, ka për të ta dhënë për pronë për të gjitha ditët që do të jetosh mbi tokë.

2 “Rrafshoni të gjitha vendet, në të cilat popujt që do t’i pushtoni, i kanë nderuar hyjnitë e veta, qoftë mbi male të larta, në kodra e nën lëndë të gjelbra.

3 Rrënoni lterët e tyre, thyeni gurëngulurit, digjni në zjarr banirët, copëtoni idhujt, zhduki emrat e tyre nga vende!

4 Për Zotin, Hyjin tuaj, mos bëni si bëjnë ata,

5 por kërkojeni atë në banesën e tij, në atë vend që Zoti, Hyji juaj, ka për ta zgjedhur mes të gjithave fiseve tuaja për ta cendosur Emrin e vet; atje shkoni

6  dhe paraqitni flitë e shkrumbimit e theroret tuaja, të dhjetat dhe ndihmesat e duarve tuaja, kushtet dhe dhuratat, të parëlindurit e gjedhëve e të bagëtive të imëta.

7 Aty, në praninë e Zotit, Hyjit tuaj, hani e gëzohuni ju e familjes tuaja për të gjitha veprat e duarve tuaja, në të cilat do t’ju ketë bekuar Zoti, Hyji juaj.

8 Nuk do të bëni as kështu si bëjmë ne sot këtu, ku secili bën si i duket drejt,

9 sepse ende deri në kohën e tashme nuk keni arritur në vendin e Pushimit e në trashëgimin që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë.

10 Do të kaloni përtej Jordanit e do të ngulni në tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë për pronë, që t’ju lënë në qetësi të gjithë armiqtë tuaj përreth e të banoni pa kurrfarë frike.

11 Atëherë, në vendin që Zoti, Hyji juaj, do ta zgjedhë për banim të Emrit të tij, atje do t’i bini të gjitha ato që unë ju urdhëroj: flitë e shkrumbimit, flitë e tjera tuajat, të dhjetat, ndihmesat e duarve tuaja, dhe të gjitha dhuratat e zgjedhura që t’ia kushtoni Zotit.

12 Aty do të gëzoheni në praninë e Zotit, Hyjit tuaj, ju, bijtë e bijat tuaja, shërbëtorët e shërbëtoret tuaja edhe leviti, që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka pronë as pjesë në mesin tuaj.”

13 “Ruaj se i kushton flitë e tua të shkrumbimit në çfarëdo vendi që të duket,

14 por vetëm në atë vend që Zoti ta ketë zgjedhur në njërën ndër fiset e tua, aty kushtoji flitë e tua të shkrumbimit dhe bëj gjithçka të urdhëroj unë.

15 Por, kurdo të të pëlqejë të hash mish, prej e ha mish me bekimin e Zotit, Hyjit tënd, që ta ketë dhënë, në çdo qytet tënd. Mund të hajë i papastërti dhe i pastërti asi mishi siç hahet mishi i sutës dhe i kaprollit,

16 me përjashtim të gjakut; atë derdhe si ujin në tokë.

17 Por në qytetet e tua nuk guxon të hash të dhjetat e drithit, të verës e të vajit tënd, të përlindurit e bagëtive të tua të trasha e të imëta dhe asgjë prej atyre që i kushton as flitë vullnetare, as ndihmesat e duarve te tua:

18 por ata haji në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti, Hyji yt, haji ti e biri yt e bija jote, skllavi yt e skllavja jote dhe leviti që jeton në qytetin tënd; e do të gëzohesh në praninë e Zotit, Hyjit tënd, për gjithçka të ketë ndërmarrë dora jote.

19 Ruaj se nuk kujdesesh për levitin gjatë gjithë kohës sa të jetosh në tokën tënde.

20 E kur t’i ketë zgjeruar Zoti, Hyji yt, kufijtë e tu, siç të ka thënë, e të kesh dëshirë të hash mish sipas ëndjes së zemrës sate, ha mish sa të dëshirojë zemra jote.

21 Nëse vendi që e ka zgjedhur Zoti, Hyji yt, për të banuar Emri i tij, është larg, prej bagëtive të tua, të trasha ose të imëta, prej çfarë të ketë dhënë Zoti ‑ siç të kam urdhëruar ‑ e ha në qytetet e tua sipas dëshirës sate.

22 Haje po ashtu siç hahet mishi i sutës dhe i kaprollit; le të hanë i pastërti e i papastërti së bashku.

23 Porse ruaju të mos e hash gjakun; sepse gjaku është jeta e tyre dhe prandaj bashkë me mish nuk bën ta hash edhe shpirtin.

24 Mos e ha, por derdhe në tokë si ujët.

25 Mos e ha që të jesh mirë ti e bijtë e tu pas teje, pasi bën mirë para syve të Zotit.

26 Kurse gjërat që t’i kesh shuguruar ose t’ia kesh kushtuar Zotit, merri e eja në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti,

27 dhe kushtoji flitë e tua të shkrumbimit, mishin e gjakun përmbi lterin e Zotit, Hyjit tënd; gjaku i theroreve të tua le të derdhet mbi lter, kurse mishin haje vetë.

28 Mbaji e dëgjoji të gjitha që po t’i urdhëroj, e do të jesh i lumtur ti e bijtë e tu pas teje përgjithmonë, nëse do të bësh ç’është e mirë dhe e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit tënd.”

29 “Kur Zoti, Hyji yt, t’i ketë shpërndarë para fytyrës sate popujt te të cilët do të shkosh për t’i bërë pronë, pasi t’i kesh bërë pronë e të banosh në tokën e tyre,

30 ruhu se bie në leqet e tyre, pasi të jenë shpartalluar ata me hyrjen tënde, e i kërkon mënyrat si i kanë nderuar idhujt e thua: ‘Siç i nderuan zotat e tyre këta popuj, po ashtu do t’i nderoj edhe vetë.’

31 Mos u sill në mënyrë të ngjashme me Zotin, Hyjin tënd! Ata bënë të gjitha poshtërsitë që i neveriten Zotit, Hyjit tënd, saqë hyjnive të tyre u dogjën si fli deri edhe bijtë e bijat e veta!



Fjala e Zotit