< Lp 10 Lp 12 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 11)
11

1 “Duaje, pra, Zotin, Hyjin tënd, e zbato gjithmonë çka të urdhëron të zbatosh: urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija!

2 Pranojeni sot ‑ nuk po ju drejtohem fëmijëve tuaj, sepse ata nuk i njohën as nuk i panë mësimet e Zotit, Hyjit tuaj ‑ madhërinë e tij, dorën e fortë dhe krahun e nderë:

3 ‑ shenjat e veprat e tija që ia bëri në mes të Egjiptit faraonit mbret e mbarë vendit të tij;

4 ‑ çfarë i bëri ushtrisë egjiptiane, kuajve e karrocave, sesi i mbuluan ujërat e Detit të Kuq, kur po ju përndiqnin ju: ‑ Zoti i shpartalloi deri në ditën e sotme;

5 ‑ çfarë ju bëri juve në shkretëtirë derisa arritët në këtë vend;

6 ‑ çfarë bëri me Datanin e me Abironin, bijtë e Eliabit, prej fisit të Rubenit, si e hapi toka grykën e vet dhe i përpiu me familje, me tenda e me mbarë pasurinë e tyre që kishin në mes të Izraelit.

7 Sytë tuaj i panë të gjitha këto emnesa që bëri Zoti!”

8 “Zbatoni, pra të gjitha urdhërimet që po jua jap sot, që të jeni të fortë e të mund të hyni e ta pushtoni tokën, në të cilën po hyni për ta bërë pronë,

9 kështu që të jetoni një kohë të gjatë në tokën që Zoti me përbetim ua pati premtuar etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë.

10 E toka, në të cilën do të hysh për ta bërë pronë, nuk është porsi toka e Egjiptit, prej së cilës dole, ku, kur hidhje farën, të duhej ta lagie duke i prirë ujit me këmbë, siç laget kopshti;

11 është tokë malore e luginore që e pret shiun nga qielli.

12 Për të Zoti, Hyji yt, gjithmonë kujdeset. Sytë e tij janë mbi të që nga fillimi i vitit deri në mbarimin e tij.

13 E nëse, do t’i dëgjoni vërtet, urdhërimet e mia, që unë po jua jap sot, e do ta doni Zotin, Hyjin tuaj, e do t’i shërbeni me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj,

14 do t’i jap tokës suaj shira në kohën e duhur: në vjeshtë e në pranverë, e do të mund ta mbledhësh drithin tënd, verën tënde e vajin tënd;

15

në fusha do të bëj të rritet bari për bagëtitë e tua. Edhe ti do të hash e do të ngihesh.

16 Ruhuni të mos ju tradhtojë zemra e të largoheni prej Zotit dhe t’u shërbeni e t’i adhuroni zotat e huaj,

17 që të mos e hidhëroni Zotin kundër jush e ta mbyllë qiellin e të mos bjerë shi, që toka të mos e japë prodhimin e vet, se atëherë me të shpejtë do të zhdukeni prej tokës së mirë që do t’jua japë Zoti.”

18 “Thadroni, pra, këto fjalë të mia në zemrën e në shpirtin tuaj; si shenjë lidhni në dorën tuaj dhe vendosni porsi varëse ndërmjet syve tuaj!

19 Mësojuani fëmijëve tuaj! Fol për to kur të jesh në shtëpinë tënde e kur të jesh në udhë; kur të biesh e kur të çohesh!

20 Shkruaj në ballëzinat e shtëpisë sate e në dyert e tua,

21 që ditët ë tua e ditët e bijve të tu në tokën që Zoti premtoi me përbetim t’ua japë etërve të tu ‑ të jenë të shumtë si ditët e qiellit përmbi tokë.

22 Nëse do t’i mbani vërtet të gjitha këto urdhërime, që po jua jap unë dhe do t’i zbatoni e do ta doni Zotin, Hyjin tuaj, nëse do të ecni të gjitha udhëve të tija e do të qëndroni të lidhur ngushtë me të,

23 Zoti do t’i dëbojë para jush të gjitha këto kombe e ju do t’i pushtoni edhe pse janë më të mëdha e më të forta se ju.

24 Çdo vend që të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji. Prej shkretëtirës e Libanit, prej lumit të madh Eufrat e deri në Detin Perëndimor do të shtrihet toka juaj.

25 Askush s’do të mund të qëndrojë përballë jush. Frikën e tmerrin tuaj do ta shtrijë Zoti, Hyji juaj, mbi çdo vend që do ta shkelni, siç ju ka thënë.

26 Ja, po ju vë para sot bekimin edhe mallkimin:

27 bekimin, nëse do t’i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që unë po ju urdhëroj sot;

28 mallkimin, nëse nuk do t’i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, por do t’i shmangeni udhës që po jua dëftoj tani unë e do të ecni pas hyjnive të huaja, që nuk i njihni.

29 Kur të të ketë futur Zoti, Hyji yt, në tokën që je nisur për ta pushtuar, vëre bekimin mbi malin Garizim e mallkimin mbi malin Hebal ‑

30 që janë përtej Jordanit, përpas udhës në drejtim të perëndimit, në tokën e kananenjve që banojnë në Arabë, përballë Galgalës që është pranë Qarrave të Moresë.

31 Ja, pra, po kaloni Jordanin për ta marrë për pronë tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë: merreni dhe banoni në të.

32 Kujdesuni, pra, që t’i vini në zbatim të gjitha urdhërimet e rregullat që po jua vë sot përpara.”



Fjala e Zotit