< Nr 36 Lp 2 >
Lexim prej librit të Ligjit të Përtërirë(Lp 1)
1

1 Këto janë fjalët që Moisiu ia drejtoi mbarë Izraelit përtej Jordanit, në shkretëtirë, në Arabë përballë Sufit, ndërmjet Faranit e Tofelit, Labanit, Haserotit e Dizahabit.

2 Prej Horebit e deri në Kadesbarne, nëse i bihet udhës së bjeshkëve të Seirit, ka njëmbëdhjetë ditë udhëtim.

3 Ishte i dyzeti vit, i njëmbëdhjeti muaj, dita e parë e muajit, kur Moisiu ua tregoi bijve të Izraelit të gjitha ato që i kishte urdhëruar Zoti t’ua tregonte.

4 Pasi e mundi Sehonin, mbretin e amorrenjve, që banonte në Hesebon, dhe Ogun, mbretin e Basanit, që banonte në Astarot e në Edrai,

5 përtej Jordanit, në tokën e Moabit, Moisiu filloi ta shtjellojë këtë Ligj. Ai thoshte:

6 “Zoti, Hyji ynë, na ka thënë në Horeb kështu: ‘Keni qëndruar mjaft në këtë mal:

7 përgatituni dhe çohuni e nisuni drejt maleve të amorrenjve dhe krahinave të afërta: në Arabë, në bjeshkë, në Sefelë, në Nageb, në breg të detit, në tokën e Kanaanit e në Liban, deri në lumin e madh Eufrat.

8 Ja, ‑ tha ‑ vendi që unë jua kam dhënë: hyni e merreni në trashëgim vendin, për të cilin iu përbetua Zoti etërve tuaj Abrahamit, Izakut e Jakobit se do t’ua japë atyre dhe pasardhësve të tyre pas tyre.’

9 Asohere ju pata thënë: Nuk jam në gjendje t’ju udhëheq unë krejt vetëm.

10 Zoti, Hyji juaj, ju shumoi e sot jeni shumë si yjet e qiellit.

11 Zoti, Hyji i etërve tuaj, i shtoftë këtij numri tuaj mijëra e mijëra të tjerë dhe ju bekoftë, sikurse edhe ju ka premtuar!

12 Nuk jam më i zoti t’i mbart krejt vetëm të vështirat tuaja, barrët tuaja e ankesat tuaja.

13 Zgjidhni, pra, burra të urtë, të dijshëm e të sprovuar për njerëzi në fiset tuaja që t’jua vë për krerë.

14 Asohere ju m’u përgjigjët: ‘Paske ndër mend të bësh një punë të mirë’.

15 Atëherë i mora krerët tuaj prej fiseve tuaja, njerëz të dijshëm e të sprovuar për njerëzi, dhe i vura prijës tuaj: mijëtarë, urdhërqindësh, pesëdhjetarë, dhjetarë dhe mibikëqyrës të fiseve tuaja.

16 Asohere u urdhërove gjykatësve tuaj: ‘Më parë peshoni mirë çështjet e vëllezërve tuaj dhe gjykoni sipas së drejtës, qoftë ai Izraelit ose i ardhur.

17 Në gjykim mos i mbani krahun asnjërit: njësoj dëgjojeni të voglin si të madhin dhe askënd mos druani, sepse gjykimi i përket Hyjit! Nëse ndonjë rast ju duket tepër i vështirë, nxirreni para meje e do ta shqyrtoj unë’.

18 Asohere unë ju dhashë urdhra për gjithçka ju duhej të bënit.”

19 “U nisëm prej Kadesit dhe u përshkuam nëpër tërë atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, sikurse patë, udhës drejt maleve të amorrenjve, siç na kishte urdhëruar Zoti, Hyji ynë. Kur arritëm në Kadesbarne,

20 ju thashë: Arritët në malin e amorrenjve që Zoti, Hyji ynë, do të na e japë.

21 Shikoje tokën që Zoti, Hyji yt, po ta jep. Ngrihu, merre për pronë si të ka thënë Zoti, Hyji i etërve të tu! Mos ki frikë, asgjë të të mos trembë!

22 Atëherë ju të gjithë m’u afruat e më thatë: ‘T’i dërgojmë para nesh disa njerëz që ta vëzhgojnë vendin e të na e tregojnë udhën nëpër të cilën duhet të biem dhe qytetet në të cilat do të shkojmë.’

23 Fjala juaj më pëlqeu, prandaj edhe i dërgova prej jush dymbëdhjetë vetë, nga një prej çdo fisi.

24 Këta u nisën për në male, dhe mbërritën deri në luginën Eskol. Pasi bënë hetime për tokë,

25 orën prej fryteve të atij vendi, na i sollën neve dhe na thanë: ‘Vendi që Zoti, Hyji ynë, do të na e japë, është i mirë.’

26 Por ju nuk deshët të hynit; nuk i besuat fjalës së Zotit, Hyjit tuaj;

27 nynykatët në çadrat tuaja e thatë: ‘Zoti na urren dhe prandaj na nxori nga dheu i Egjiptit që të na lëshojë në duar të amorrenjve e të na zhdukë.

28 Ku të ngjitemi? Vëllezërit tanë na e patën futur frikën në zemër kur na thanë: Është një popull më i shumtë e më i madh se ne! Kanë qytete të mëdha e të muruara deri në qiell! I kemi parë atje edhe viganët.’

29 Unë asohere ju thashë: ‘Të mos ju kapë frika e mos i druani!

30 Zoti Hyj që është udhëheqësi juaj, ai vetë do të luftojë për ju, po ashtu si bëri në Egjipt, vetë e patë!’

31

Po edhe në shkretëtirë, vetë e keni parë, Zoti të ka përqafuar, Zoti, Hyji yt, ashtu siç e mbart njeriu fëmijën e vet, në çdo udhë nëpër të cilën ratë deri që erdhët në këtë vend.

32 Por, megjithëkëtë, ju nuk patët besim në Zotin, Hyjin tuaj,

33 i cili ju priu udhës dhe jua gjente vendet e zemërimiimit; natën jua tregonte udhën me dritën e zjarrit e ditën me shtyllën e resë.”

34 “Kur i dëgjoi Zoti nynykamet tuaja, u hidhërua, u betua dhe tha:

35 ‘Asnjë njeri prej kësaj breznie të mbrapshtë nuk do ta shohë të mirin vend që ua pata premtuar me përbetim etërëve tuaj,

36 me përjashtim të Kalebit, të birit të Jefoneut: ai do ta shohë dhe do ta gëzojë tokën që shkeli me këmbë, ai e bijtë e tij, sepse nuk la gjë mangut për ta ndjekur Zotin.’

37 Për shkak tuaj Zoti u hidhërua edhe me mua e më tha:’ As ti nuk do të hysh atje!

38 Por atje do të hyjë shërbëtori yt Jozuehi, biri i Nunit. Jepi zemër sepse ai do t’ia ndajë Izraelit tokën me short.

39 Fëmijët tuaj, për të cilët thatë së do të merren skllevër, foshnjat që sot nuk dinë ta ndajnë të mirën prej së keqes, ata do të hyjnë; atyre do t’ua jap tokën dhe ata do ta kenë pronë.

40 E ju, kthehuni së prapthi nëpër shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq.’

41 Atëherë m’u përgjigjët: ‘Mëkatuam kundër Zotit! Do të ngjitemi atje e do të luftojmë, siç na urdhëroi Zoti, Hyji ynë.’ E kur u shtrënguat në armë e po niseshit për në mal,

42 Zoti më tha: ‘Thuaju: Mos u kapni në mal e mos e nisni luftën, sepse mua nuk më keni me ju e do të bëheni preja e armikut!’

43 Unë ju urdhërova, por ju nuk më dëgjuat, dhe kundër urdhrit të Zotit e të fryrë nga krenaria, iu kapët malit.

44 Kështu dolën amorrenjtë që banojnë në atë mal e t’ju ndeshën, t’ju përndoqën, si bleta kur del prej zgjoit e të vishet, e t’ju goditën prej Seirit e deri në Hormë.

45 Ju që u kthyet, kur qanit para Zotit, ai s’ju dëgjoi as s’ua vuri veshin ofshamave tuaja.

46 E kështu ndenjët në Kades për një kohë të gjatë, e mirë e dini sa ndenjët!”



Fjala e Zotit