1 Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të Dymbëdhjetët
2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj,
3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta e ndihmonin Jezusin e nxënësit.
4 Si u tubua turmë e madhe e popullit, që erdhën nga qytete të ndryshme tek ai, Jezusi foli në shëmbëlltyrë:
5 “Doli mbjellësi për të hedhur farën. E, ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë pranë udhës: u shkelën dhe i hëngrën zogjtë e qiellit.
6 Disa të tjera ranë në gurishte; mbinë, por u thanë, sepse nuk kishte lagështinë.
7 Disa ranë në ferra; ferrat, duke u rritur bashkë me to, ua morën frymën.
8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë; mbinë e dhanë fryt njëqind fish.”
Kur i tha këto fjalë, theksoi:
“Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
9 Nxënësit e tij e pyetën çka do të thotë ajo shëmbëlltyrë.
10 Ai iu përgjigj:
“Ju e keni dhuratë dijen e mistereve të Mbretërisë së Hyjit, kurse të tjerëve u paraqitet vetëm në shëmbëlltyra, që:
‘Të shikojnë e të mos shohin,
të dëgjojnë e të mos kuptojnë. ’“
11 “Ky është vështrimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit:
Fara është fjala e Hyjit.
12 Ato ‘pranë udhës’, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por pastaj u vjen djalli dhe ua nxjerr nga zemra fjalën, që të mos besojnë e të mos shëlbohen.
13 Ato ‘në gurishte’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën e pranojnë me gëzim, porse nuk kanë rrënjë: për disa kohë besojnë, por kur vjen koha e tundimit, e lënë fenë.
14 Ato ‘në ferra’, janë ata që e dëgjuan, por ende në udhë, ua zënë frymën kujdeset tokësore, pasuritë dhe kënaqësitë e jetës e nuk japin fryte të pjekura.
15 Ato ‘në tokë të mirë’, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”
16 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.
17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.
18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”
19 Nëna e tij dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit.
20 E lajmëruan:
“Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.”
21 Ai iu përgjigj:
“Nëna ime e vëllezërit e mi ‑ janë këta ‑ që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”
22 Një ditë Jezusi e nxënësit e tij hipën në barkë. Ai u tha:
“Të kalojmë në atë anë të liqenit!”
U larguan prej bregut e morën liqenin.
23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi. Ndërkaq mbi liqen u lëshua stuhi e madhe, në barkë hynte ujë e ishin në rrezik.
24 Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:
“Mësues, Mësues! U mbytëm!”
Ai u zgjua, iu kërcënua stuhisë e valëve të ujit ‑ dhe u qetësuan e ranë në fashë.
25 U tha:
“Ku e keni fenë?!”
Ata, të frikësuar e të mrekulluar, i thoshin njëri‑tjetrit:
“Vallë, kush është ky, që po u urdhëron erërave e ujit dhe ata po i binden?”
26 Dhe kaluan në krahinën e gergezenëve, që është përballë Galilesë.
27 Posa doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte në trup djajtë. Kaherë nuk veshte më petka, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
28 Kur e pa Jezusin bërtiti me të madhe, i ra ndër këmbë dhe i tha me zë të lartë:
“Çka ke me mua, o Jezus, Biri i Hyjit tejet të Lartë? Po të lutem mos më mundo!”
29 Sepse Jezusi i kishte urdhëruar shpirtit të ndytë të dalë prej atij njeriu, që e kishte pushtuar kaherë e, edhe pse e mbanin lidhur në hekura dhe e ruanin në pranga, ai i këpuste prangat e djalli e bënte të merrte arratinë në vende të pabanuara.
30 Jezusi e pyeti:
“Si e ke emrin?”
“Legjion!” u përgjigj ‑ sepse shumë djaj i kishin hyrë në trup.
31 Ata iu lutën të mos u urdhëronte të shkonin në ferr.
32 Aty ishte një tufë e madhe thish që po kulloste në mal dhe djajtë iu lutën t’u lejonte të hyjnë në ta. Ai ua lejoi.
33 E djajtë, si dolën prej njeriut, hynë në thi. Tufa e tyre u lëshua turr prej greminës në liqen dhe u mbyt.
34 Barinjtë, kur panë se ç’ndodhi, ikën e lajmëruan në qytet e në fshatra.
35 Njerëzit dolën të shohin ç’ndodhi. Erdhën te Jezusi dhe gjetën te këmbët e Jezusit atë njeri prej të cilit kishin dalë djajtë. Ishte veshur e shëndoshë në mend. U hyri frika.
36 Ata që qëlluan pranë, u treguan si u shërua i djallosuri.
37 Atëherë mbarë populli i krahinës së gergezenëve iu lut Jezusit që të largohej prej tyre, sepse e kapi frikë e madhe.
Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
38 Njeriu, prej të cilit dolën djajtë, i lutej ta merrte me vete, por Jezusi e përcolli me këto fjalë:
39 “Kthehu në shtëpinë tënde ‑ i tha ‑ dhe trego gjithçka që bëri Hyji për ty.”
Ai shkoi dhe tregoi anembanë qytetit çka bëri Jezusi për të.
40 Kur Jezusi u kthye, populli e priti me gëzim, sepse të gjithë e prisnin me padurim.
41 Dhe, ja, erdhi një njeri, me emër Jair, që ishte kryetar i sinagogës. Ky i ra ndër këmbë Jezusit e iu lut të shkojë në shtëpi të tij,
42 sepse ‑ vajzën e dëshirit vetme, reth dymbëdhjetëvjeçare ‑ e kishte në fill të vdekjes.
Ndërsa Jezusi po shkonte atje, populli, duke u shtyrë rreth tij, e ndeshte.
43 Një grua që kishte derdhje gjaku tash dymbëdhjetë vjet, (e që kishte shpenzuar tërë pasurinë e vet ndër mjekë) dhe askush s’kishte mundur ta shërojë,
44 u afrua nga mbrapa, ia preku kindin e petkut e menjëherë i pushoi derdhja e gjakut.
45 Jezusi pyeti:
“Kush më preku?”
E pasi të gjithë mohuan, Pjetri i tha:
“Mësues, mbarë turma e popullit po shtyhet rreth teje e po të ndesh... !”
46 Por Jezusi vijoi:
“Dikush më preku, sepse e ndjeva një fuqi duke dalë prej meje.”
47 Kur gruaja pa se nuk po mund të mbetej e padiktuar, duke u dridhur e tëra, doli para tij dhe tregoi në sy të popullit përse e kishte prekur dhe se si ishte shëruar përnjëherë.
48 Jezusi i tha:
“Bija ime, feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”
49 Ndërsa Jezusi ende po fliste, ja tek erdhi një prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i tha:
“Vajza jote vdiq! Mos e mundo më Mësuesin!”
50 Jezusi, kur e dëgjoi, i tha:
“Mos ki frikë! Ti vetëm beso! Ajo do të shpëtojë!”
51 Kur erdhi te shtëpia, nuk la askënd të hyjë brenda përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, babait dhe nënës së fëmijës.
52 Të gjithë e qanin dhe e vajtonin. Jezusi u tha: “Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle!”
53 Ata e përqeshën sepse e dinin mirë se kishte vdekur.
54 Ai e kapi për dore dhe i tha:
“O vajzë, çohu!”
55 Asaj iu kthye shpirti dhe menjëherë u çua. Jezusi u urdhëroi t’i japin vajzës menjëherë të hajë.
56 Prindërit e saj mbetën të mallëngjyer. Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt çka ndodhi.