< Lk 6 Lk 8 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 7)
7

1 Pasi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum.

2 Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër.

3 Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin.

4 Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten:

“Meriton t’ia kryesh këtë nder

5 sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.”

6 Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë:

“Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim

7 ‑ prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

8 Sepse edhe unë, ndonëse jam vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ ‑ dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ ‑ dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ ‑ dhe ai e bën.”

9 Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: “Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.”

10 Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.

11 Pastaj Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit.

12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur ‑ djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit.

13 Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha:

“Mos qaj”

14 U afrua, preku vigun ‑ ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha:

“Djalosh, ty po të them: çohu!”

15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.

16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë:

“Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”

17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.


18 Për të gjitha këto e vunë në dijeni Gjonin nxënësin e tij. Gjoni i thirri dy prej nxënësve të vet

19 dhe i dërgoi te Zotëria për ta pyetur: “A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”

20 Këta, kur erdhën te Jezusi, i thanë:

“Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të të pyesim: ‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’“

21 Pikërisht në atë çast Jezusi shëroi shumë njerëz prej sëmundjesh, prej dhimbjesh, prej shpirtrash të ndytë, edhe shumë të verbëve ua dhuroi dritën e syve.

22 Atëherë iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka patë e çka dëgjuat:

‘të verbërit po fitojnë dritën e syve’, të shqeptët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e ‘skamnorëve u shpallet Ungjilli’.

23 I lumi ai që nuk do ta bjerrë besimin në mua!”

24 Kur të dërguarit e Gjonit shkuan, Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Ç’dolët të shihni në shkretëtirë? Një kallam që e tund era?

25 Atëherë, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me petka të bukura? Porse njerëzit që veshen me petka të bukura, me shkëlqim e jetojnë në kënaqje banojnë në pallate mbretërore!

26 Por, çka atëherë dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: edhe më tepër se një profet!

27 Gjoni është ai, për të cilin u shkrua në Shkrimin e shenjtë:

Qe unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje për ta bërë gati para teje udhën tënde.’

28 Unë po ju them: s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni! Megjithatë, edhe më i vogli në Mbretërinë e Hyjit, është më i madh se ai.

29 Populli mbarë që e dëgjoi ‑ edhe vetë tagrambledhësit ‑ duke u pagëzuar me pagëzimin e Gjonit, e dëshmuan drejtësinë e Hyjit.

30 Kurse, farisenjtë e mësuesit e Ligjit, duke mos pranuar të pagëzohen prej tij, e përbuzën planin e Hyjit që kishte për të mirën e tyre.

31 Me kë, pra, t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin?

32 U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe e thërrasin njëri‑tjetrin, sipas asaj fjale:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

33 Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’

34 Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’

35 Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.”

36 Një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum,

38 zuri vend pas tij, te këmbët e tij dhe, duke qarë, filloi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha:

“Simon, dua të të them diçka.”

“Fol, Mësues!” ‑ iu përgjigj ai.

41 “Një huadhënës ‑ vazhdoi Jezusi ‑ kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë.

42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”

43 Simoni iu përgjigj:

“Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”

“Mirë pleqërove! ‑ i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit:

“A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu.

45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia.

46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia.

47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”

48 Atëherë i tha gruas:

“Të janë falur mëkatet!”

49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”

50 Por ai i tha gruas:

“Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”



Fjala e Zotit