< Lk 22 Lk 24 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 23)
23

1 Atëherë u ngritën të gjithë së bashku, e çuan te Pilati

2 dhe zunë ta padisin:

“Këtë njeri e zumë duke nxitur tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia ‑ Mbret.”

3 Pilati e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

Ai iu përgjigj:

“Ti po thua!”

4 Pilati u tha atëherë kryepriftërinjve dhe vegjëlisë:

“Kurrfarë faji s’po gjej në këtë njeri.”

5 Por ata ngulnin këmbë duke thënë:

“Ky po çon në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që prejGalilesë, ku ia filloi e deri këtu.”

6 Në këto fjalë Pilati pyeti a mos është ky njeri galileas.

7 Kur e mori vesh se është nën pushtetin e Herodit, e dërgoi te Herodi që, ndër ato ditë, gjendej edhe ai në Jerusalem.

8 Herodi u gëzua fort kur e pa Jezusin. Kaherë kishte pasur dëshirë ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte se do të shihte ndonjë mrekulli të tijën.

9 I bëri shumë pyetje, porse Jezusi s’iu përgjigj fare.

10 Aty ishin edhe krerët e priftërinjve dhe skribët, të cilët e paditnin me këmbëngulje.

11 Herodi, bashkë me ushtarët e vet e përbuzi Jezusin dhe e vuri në lojë: e veshi me petk të bardhë dhe ia ktheu Pilatit.

12 Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq.

13

Pilati grishi në mbledhje krerët e priftë‑ rinjve, anëtarët e Këshillit të lartë dhe

14 dhe u tha:

“Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni.

15 Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

16 Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj.” [17]

17

18 Por ata zunë të bërtasin njëzëri:

“Këtë vritie e na liro Barabën!”

19 Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje.

20 Pilati foli prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin.

21 Por ata bërtitnin:

“Kryqëzoje! Kryqëzoje!”

22 Ai u tha të tretën herë:

“Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen. Do ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj.”

23 Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha.

24 Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata.

25 Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje ‑ atë që kërkuan ‑ kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre.

26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit.

27 Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin.

28 Jezusi u kthye kah ato dhe tha:

“Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj!

29 Sepse, ja, po vjen koha, kur do të thuhet: ‘Lum beronjat! Lum ato që s’lindën kurrë e që nuk patën kujt t’i japin gji!’

30 Atëherë do të fillojnë

‘t’u thonë maleve: bini mbi ne!

e kodrave: na mbuloni!’

31

Sepse, nëse veprohet kështu me drunë e njomë, çka do të ndodhë me të thatën?”

32 I sollën edhe dy të tjerë ‑ keqbërës për t’i vrarë bashkë me të.

33 Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

34 [ E Jezusi lutej:

“Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”]

E ‘për t’i ndarë petkat e tij hodhën short’.

35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:

“Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”

36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull

37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”

38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:

“Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”

40 Por ai tjetri e qortoi shokun:

“As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai?

41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”

42 Dhe tha:

“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!”

43 E Jezusi i tha:

“Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

44 Ishte rreth orës gjashtë e terri e mbështolli mbarë tokën deri në orën nëntë.

45 Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes.

46 Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha:

“O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!”

Si tha këto, dha shpirt.

47 Centurioni, kur pa ç’ndodhi, zuri të lëvdojë Hyjin dhe tha: “Ky njeri ishte me të vërtetë i drejtë!”

48 Po edhe të gjithë njerëzit, që u grumbulluan për të parë ngjarjen, kur panë se ç’ndodhi, u kthyen duke rrahur kraharorin.

49 Të gjithë miqtë e tij rrinin larg, po ashtu edhe gratë, që e kishin përcjellë prej Galilesë, dhe po vërenin.


50 Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre.

51 Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit.

52 Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit.

53 Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur.

54 Ishte dita e Përgatitjes, e po afrohej e shtuna.

55 E përcollën edhe gratë që erdhën me Jezusin prej Galilesë; e panë varrin dhe si u vu trupi i Jezusit.

56 Pastaj u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajëra të erëndshëm.

@@@

Të shtunën mbajtën pushimin e caktuar [prej Ligjit].



Fjala e Zotit