< Lk 1 Lk 3 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 2)
2

1 Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës.

2 Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë.

3 Të gjithë shkonin të regjishtroheshin, secili në qytetin e vet.

4 Kështu edhe Jozefi, pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem,

5 për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.

6 Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë.

7 Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.

8 Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet.

9 Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi.

10 Engjëlli u tha:

“Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin!

11 Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot!

12 Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.”

13 Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste:

14 Lavdi Hyjit në më të lartin qiell

e paqe mbi tokë njerëzve,

që i ka për zemër!”

15 Posa engjëjt u larguan prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri‑tjetrit:

“Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi ‑ngjarjen që na e kumtoi Zoti.”

16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd.

17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën.

18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë.

19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.

20 Barinjtë pastaj u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli.

21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, siç e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑

23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’

24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt.

26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit.

27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të,

28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑

35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet

37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje.

38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

41 Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve.

42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës.

43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij.

44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur.

45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje.

47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjegjet e tij.

48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha:

“Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”

49 Ai iu përgjigj:

“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”

50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.

51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.

52 Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve.



Fjala e Zotit