1 Jezusi u tha nxënësve të vet:
“Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë.
2 Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve.
3 Ruajuni fort!
Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale!
4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë:
‘Më vjen keq’!, fale!”
5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje:
“Na e shto fenë!”
6 Zotëria u tha:
“Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.
7 Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’
8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’
9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua?
10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. ’“
11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile.
12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg
13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”
14 Kur i pa u tha:
“Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”
E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë.
16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas.
17 Jezusi mori fjalën e tha:
“Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët?
18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?
19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”
20 I pyetur prej farisenjve: “Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?” ai iu përgjigj:
“Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme,
21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!”
22 Atëherë u tha nxënësve të vet:
“Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Ja, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni!
24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij].
25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.
26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut:
27 njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë.
28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin,
29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë.
30
Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.
31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa.
32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit!
33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.
34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet.
35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet. ”
36
37 Atëherë e pyetën:
“Ku, o Zotëri?”
“Ku të jetë kufoma ‑ iu përgjigj ‑
aty do të mblidhen edhe shqiponjat.”