< Lk 15 Lk 17 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 16)
16

1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë.

2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih... ? Nuk mundem! Të dal e të lyp... ? Më vjen turp!

4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’

6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’

7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.

9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha.

11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë?

12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:

Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin.

15 Jezusi u tha:

“Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.

16 Ligji e profetët arrinë deri në kohën e Gjonit. Që atëherë shpallet Mbretëria e Hyjit dhe gjithkush nxiton me forcë të hyjë brenda.

17 Më lehtë është të mbarojnë qielli e toka se të bjerë poshtë edhe një vizë nga Ligji.

18 Secili që lëshon gruan e vet e merr një tjetër, shkel kurorën. Po ashtu edhe ai që martohet me gruan e shkurorëzuar, bën kurorëthyerje.”

19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë.

20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër

21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij

24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’

25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.

26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti,

28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’

29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’

30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’

31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“



Fjala e Zotit