< Lk 13 Lk 15 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 14)
14

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

2 Kur, ja, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi.

3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve:

“A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?”

4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

5 Atyre pastaj u tha:

“Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?”

6 Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti,

9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit.

10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve.

11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur:

“Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë.

13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër.

14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.”

15 Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha:

“Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!”

16 Jezusi i tha:

“Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë.

17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’

18 Por të gjithë ‑ si të ishin marrë vesh ‑ zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’

19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’

20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’

22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’

23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e afër gardheve e shtrëngoji njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!”

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26

Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer?

29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë

30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’

31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë?

32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

34 “Kripa është gjë e mirë; por, në qoftë se kripa e humb shijen e vet, me çka do të mund të kripet?

35 Nuk vlen as për tokë as për pleh. Hidhet jashtë.

Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”



Fjala e Zotit