< Lk 12 Lk 14 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 13)
13

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre.

2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë?

3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!

4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit?

5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti.

7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’

8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh.

9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte... Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.

11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi.

12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë?

16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.

18 Atëherë u tha:

“Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj?

19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë pemë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saj.”

20 Dhe vijoi:

“Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit?

21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa u mbrua krejt.”

22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra.

23 Një njeri e pyeti:

“Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”

Ai u tha:

24 “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.

25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’

26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’

27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta.

29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit.

30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!”

31 Po në atë moment iu afruan disa farisenj dhe i thanë:

“Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!”

32 Ai iu përgjigj:

“Shkoni e thuajini asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund.

33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.

34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet ... e ju nuk deshët!

35 Mirë, pra, ‘shtëpia juaj do t’ju lihet juve!’ Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri [që të vijë dita] të thoni:

‘Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit’!”



Fjala e Zotit