1
Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit ‑ mijëra e mijëra ‑ aq sa shkelnin njëri‑tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:
“Ruajuni prej tharmit të farisenjve d. m. th. hipokrizisë!
2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh.
3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.”
4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër!
5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën!
6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji.
7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”
8 “Unë po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tiji para engjëjve të Hyjit.
9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.
10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje.
11 Pastaj, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni [se] si do të mbroheni e çka do të thoni:
12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.”
13 Atëherë dikush prej turmës i tha:
“Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.”
14 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?”
15 Atëherë u tha:
“Vëriani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”
16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
“Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh.
17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia. ’
18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia.
19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’
20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’
21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”
22 Pastaj u tha nxënësve:
“Prandaj po ju them: Mos u shqetësoni për jetën tuaj: çka do të hani, as për trupin tuaj: me çka do ta veshni,
23 sepse jeta është më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku.
24 Vëreni korbat! As nuk mbjellin as nuk korrin, nuk kanë as qilar as grunar e Hyji i ushqen. Sa më të vlefshëm jeni ju se shpendët!
25 E cili prej jush, sado që të kujdeset me shqetësim, mund ta zgjasë shtatin e vet edhe për një kut?
26 Pra, nëse nuk mundeni as më të voglën gjë, përse atëherë shqetësoheni për të tjerat?
27 Vëreni si rriten zambakët! As nuk tjerrin as nuk bëjnë vekë. E unë po ju them: as Salomoni në tërë madhërinë e vet, nuk ishte i veshur si një ndër ta.
28 Nëse, pra, Hyji e vesh në këtë mënyrë barin që sot është e nesër hidhet në furrë, sa më shumë do të bëjë për ju, o fepakë?
29 Prandaj mos kërkoni çka do të hani e do të pini ‑ mos u shqetësoni!
30 Të gjitha këto i kërkojnë paganët e kësaj bote; ndërsa për ju e di mirë Ati juaj se keni nevojë për to.
31 Por, kërkoni Mbretërinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë.
32 Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë!
33 Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.
34 Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.”
35 “Jini gati ‑ të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura ‑
36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë.
37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë.
38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata!
39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia.
40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”
41 Atëherë Pjetri tha:
“Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?”
42 Zotëria iu përgjigj:
“Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit?
43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu.
44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet,
46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.
47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna.
48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”
49
“Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!
50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!
51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!
52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:
53 babai do të zihet me djalin,
e djali me babain,
nëna me të bijën,
e bija me t’ëmën,
vjehrra me të renë
e reja me vjehrrën.”
54 Pastaj iu drejtua turmës:
“Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh.
55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë.
56 Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?”
57 “Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?
58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në ujdi me të ‑ që të mos nxjerrë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg.
59 Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të fundit qindarkë.”