< Lk 23 Gjn 1 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Lukës(Lk 24)
24

1 Të parën ditë të javës, fort heret, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën.

2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit.

3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot].

4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme.

5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë:

“Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?

6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile:

7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“

8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij.

9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë të tjerët.

10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë.

11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan.

12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi me vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje.

14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta.

16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.

17 Ai i pyeti:

“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”

Ata u ndalën të trishtuar

18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:

“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”

19 Ai i pyeti:

“Po çka?”

Ata iu përgjigjën:

“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit;

20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan.

21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje.

22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri

23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë.

24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”

25 Ai u tha:

“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët!

26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”

27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën.

29 Po ata iu vunë:

“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”

Dhe hyri që të rrijë me ta.

30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha.

31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre.

32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:

“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta.

34 Të njëmbëdhjetët u thanë:

“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha:

“Paqja me ju!”

37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt.

38 Jezusi u tha:

“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja?

39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”

40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët.

41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:

“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”

42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur.

43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“

45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet

46 dhe u tha:

“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë.

47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve.

48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti.”

50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi.

51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell.

52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem

53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.



Fjala e Zotit